Puna e mund dhunën dhe histerinë” Punimet në shkollën 9-vjeçare “Pezë e vogël”, po ecin me ritme të shpejta për të pritur në shtator fëmijët e ciklit 9-vjeçar dhe parashkollor.
Shkolla e re, pjesë e projektit të rindërtimit, do të ketë kapacitet prej 250 nxënësish. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj teksa inspektoi ecurinë e punimeve deri më tani, nënvizoi se po punohet në çdo cep të Tiranës dhe me të njëjtën cilësi si në qendër ashtu edhe periferi.
Ai tha se “histeria është më e madhe për një shkollë në qendër të qytetit, siç është ‘Sami Frashëri’, sepse politika e ka më kollaj të gjuajë me gurë gjënë që sheh në anën tjetër të rrugës”.
“Të gjitha këto shkolla nuk i kanë shpëtuar politizimit, histerisë, lajmit të rremë, duarve në fyt, gishtave në vesh. Kush donte ta përdorte politikisht për të thënë që shkolla do prishej edhe këtu do ndërtoheshin pallate, kulla, në Pezë të Vogël, seriozisht?! Por i pashpresi, i mbyturi të mbyt thonë dhe nuk dinë çfarë thonë nga budallallëku. Ja ku jemi sot, patjetër që po ndërtohet, por po ndërtohet shkolla e re, shumë herë më e mirë se ajo që ishte edhe ndoshta dhe një monument që puna e mund dhunën, e vërteta e mund gënjeshtrën, edhe e mira e mund të keqen”, theksoi Veliaj.
Në të gjithë territorin e Tiranës do të hapen 40 shkolla të reja. Kryebashkiaku tha se mezi pret që shkolla “Pezë e Vogël” të përfundojë, dhe më pas të shërbejë edhe si një qendër komunitare për t’u përdorur 24 orë nga fëmijët dhe banorët e zonës.
“Vetëm në Njësinë Administrative Pezë, ne kemi 4 shkolla të reja, Pezë e Vogël, Pezë e Madhe, Pezë-Helmës, dhe Pojanë. Nuk ka më nevojë që për një arsim më cilësor dhe për kushte më dinjitoze të merret fugoni dhe autobusi çdo mëngjes nga “Peza” për të shkuar në “Kombinat” apo për të shkuar te “21-shi”.
Tashmë i njëjti arsim cilësor, me shkolla me standarde spektakolare do ta kemi këtu në Pezë edhe të katërt këto vende”, nënvizoi ai. Ndërsa kandidati për deputet në qarkun e Tiranës, Toni Gogu tha se shkolla në Pezë është një ëndërr e bërë realitet. “Dita kur së bashku me prindërit, me mësuesit do të mblidhemi që të festojmë dhe të krijojmë atë komunitet të mrekullueshëm që kemi ëndërruar gjithmonë, që përveç procesit arsimor dhe procese të tjera kulturore, artistike, të fillojnë që t’i japin jetë komunitetit tonë, nuk është e largët. Më në fund, kemi ardhur të shikojmë sesi shkolla e Pezës së Vogël nga një ëndërr po kthehet në realitet”, sqaroi Gogu.
Shkolla e re do të ketë një kapacitet prej 250 nxënës, për të plotësuar nevojat e komunitetit të zonës. Në dy katet e saj do të ketë 8 klasa me nga 24 nxënës. 2 klasa për parashkollor, 4 laboratorë kimie fizike, biologjie etj. Gjithashtu do ketë bibliotekë, sallë mësuesish, dhome mjeku dhe psikologu./b.h