Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi mërkurë lënien në fuqi të masave aktuale edhe për 2 javë të tjera.
Përveç kufizimit të lëvizjes nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit, një tjetër masë është ajo që ndalon grumbullimet me më shumë se 10 persona. Kjo duket se do bëjë që edhe fushata elektorale e cila nis zyrtarisht të enjten, të zhvillohet e kushtëzuar si pasojë e pandemisë.
Mira Rakacolli apeloi zbatimin e këtyre masave edhe gjatë fushatës.
“Vendi po hyn në fushatën zgjedhore. Eksperienca e vendeve të cilat kanë kryer proces zgjedhor në pandemi ka treguar bindshëm se në respektim dhe zbatim të masave të marra nuk ka pasur shtim të numrit të infeksioneve. Janë bërë zgjedhje në Portugali, në Kosovë, në dy lande të Gjermanisë, në Katalonjë të Spanjës etj. dhe shifrat kanë treguar që kur masat janë zbatuar ashtu sikur kanë rekomanduar autoritetet shëndetësore, nuk ka pasur asnjë tendencë të shtimit të infeksioneve.
I ftojmë qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara nga autoritetet siç është vendosja e maskave, respektimi i distancimit fizik, social dhe ndalimi i grumbullimeve për çfarëdolloj arsyeje. Në mënyrë që së bashku me intensifikimin në vijimësi të vaksinimit, ku synon që të vaksinohen çdo ditë 12 mijë deri 15 mijë qytetarët të vazhdojmë të kemi një ulje numrash dhe indikatorët që do të vijnë nga kjo ulje të na sugjerojnë edhe një lirim të masave”.
/a.r