Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar të mërkurën se në ambientet spitalore janë duke u trajtuar 856 pacientë.
Nga ky numër, 711 persona janë të infektuar me koronavirus, 13 janë në respiratorë kurse 664 persona janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.
Infektologu Izet Sadiku, njëherësh ushtrues detyre i drejtorit të Klinikës Infektive në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka thënë për Radion Evrope e Lirë, se klinika është e mbushur me pacientë dhe se nuk ka vende të lira.
“Ne mund të pranojmë pacientë, aq sa lirohen vende brenda ditës. Nëse 10 vende lirohen nga Klinika Infektive ato vende plotësohen menjëherë”, ka deklaruar ai.
Komiteti i ShSKUK-së ka thënë se në vazhdimësi është duke analizuar situatën dhe po merr vendime për menaxhim sa më të mirë të rasteve të hospitalizuara.
Zyrtarë të këtij komiteti kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se momentalisht, pacientët e infektuar me koronavirus po trajtohen në Klinikën Infektive, Klinikën e Pulmologjisë, Mjekimin Intensiv – COVID, Klinkën Infektive II (Mjekësi Sportive) dhe Klinikën Infektive III (Inteno).
Sipas tyre, “varësisht nga nevoja, funksionalizohen edhe hapësira të reja”. Më 23 mars, Kosova ka regjistruar dhjetë viktima dhe 705 raste të reja me koronavirus.
Kosova ka konfirmuar rastet e para pozitive më 13 mars të vitit të kaluar dhe, që atëherë, ka regjistruar gjithsej 83,717 të tilla.
Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar të martën plan për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit. Ai ka thënë se duhet të ulen rastet me koronavirus dhe të eliminohen vdekjet./ rel
b.h