Nga Edmond Hoxhaj
Gjyqtarja Marsela Dervishi e Gjykatës së Fierit u përball të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për Dervishin kryesohet nga Xhensila Pine, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Marsela Dervishi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2012 dhe pas një periudhe stazhi në Tiranë, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Fierit. Aktualisht, Dervishi është kandidate për t’u promovuar në Apel, pas shpalljes së vendeve vakante nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Gjatë seancës dëgjimore nuk u identifikuan probleme domethënëse në asnjë prej kritereve të rivlerësimit.
Komisioni i ka gjetur të sakta deklarimet e subjektit për blerjen e një automjeti tip “Wolksvagen” në vitin 2022 kundrejt shumës 400 mijë lekë dhe për krijimin e një depozite në 2013-ën në vlerën 872 mijë lekë të dhuruar nga gjyshërit.
Si burim për blerjen e makinës subjekti ka deklaruar kursimet, ndërsa për krijimin e depozitës, ajo ka shpjeguar se gjyshërit i kanë kaluar në llogari vlerën që ata kishin në një depozitë në emër të tyre. Komisioni i ka gjetur të vërteta deklarimet e Dervishit për këto pasuri. Nga hetimi administrativ janë konfirmuar deklarimet e subjektit edhe për një marrëveshje huaje overdraft në vitin 2016 për shumën 240 mijë lekë.
Relatorja Shuli tha se verifikimit i janë nënshtruar edhe deklarimet dhe pasuritë e bashkëjetuesit të gjyqtares Dervishi, z.I.N. Ky i fundit ka deklaruar në vitin 2015 likujditete jashtë sistemit bankar në vlerën 1.3 milionë lekë.
Si burim krijimi të kësaj vlere, ai ka deklaruar dhurimin e shumave të pensioneve të prindërve për periudhën 2009-2015.