Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se seanca publike e caktuar për të zgjidhur çështjen e mosmarrëveshjes së kompetencave, mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, e cila ishte planifikuar të mbahej më 25 mars, do të shtyhet në një datë tjetër. Data tjetër nuk është përcaktuar ende.
“Gjykata Kushtetuese njofton se seanca plenare e caktuar në datën 25.03.2021, ora 10:00, për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Interpretimi kushtetues i nenit 98, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, bazuar në nenin 44/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, është shtyrë në një datë tjetër. Në lidhje me datën dhe orën e seancës plenare, do të ndiqen rregullat përkatëse të njoftimit të palëve dhe të publikimit të saj”, thuhet në njoftim.
Gjykimi do të mbahet në Kushtetuese aty ku Rama kërkon interpretimin e nenit 98 të Kushtetutës pika 1 për të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të ministrave.
Kjo padi është depozituar nga Rama pas përplasjes me Metën për mosdekretimin e ish-ministrit të jashtëm Gent Cakaj. Meta asokohe refuzoi të dekretojë Cakajn i cili mbajti postin e ushtruesit të detyrës ndërsa ministër i jashtëm me dekret ishte vetë kryeministri Rama.
Kjo është përballja e parë e dy liderëve në gjykatë pak para zgjedhjeve të cilat do të mbahen më 25 Prill 2021./ b.h