Deputetët e kuvendit të Kosovës votuan për qeverinë e re të Kosovës me kryeministër Albin Kurti. Qeveria Kurti mori 67 vota për dhe 30 kundër. Albin Kurti nuk ishte lejuar që të merrte pjesë në zgjedhje për shkak se kishte probleme me ligjin, por partia e tij Lëvizja Vetëvendosja fitoi mbi 50% të votave, duke ia mundësuar kështu që së bashku me votat e garantuara të deputetëve të pakicave ta formojë pa probleme qeverinë Kurti 2.
Albin Kurti në vitin 2019 ishte zgjedhur kryeministër, por, vetëm pas 50 ditë qeverisje, ai me një mocion mosbesimi u rrëzua nga partneri i atëhershëm qeverisës LDK-së. Lëvizja vetëvendosja u rikthye në qeverisje duke e rritur numrin e deputetëve në 58 nga 29 sa kishte në zgjedhjet e vitit 2019.
Albin Kurti pas konstituimit të parlamentit të ri, u dekretua për ta formuar qeverinë nga ushtruesi i ri i detyrës së presidentit Glauk Konjufca, i cili vetëm disa orë më parë u zgjodh kryetar i kuvendit të Kosovës, duke zëvëndësuar kështu Vjosa Osmanin, e cila pretendon postin e presidentës së Kosovës. Qeveria e re e Kosovës ka 15 ministri dhe tre zëvëndëskryeministra: zëvendëskryeministër i parë për Integrime evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi; zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi.
Prioritet i qeverisë ekonomia dhe drejtësia
Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti, në një ekspoze të shkurtër tha se prioritet i qeverisë së tij është ekonomia dhe drejtësia, duke u fokusuar në ditët e para të qeverisjes me pandeminë që e ka kapluar vendin me rritje të madh të numrit të të infektuarve.
“Nuk ka dyshim se pandemia mbetet sfida kryesore. Pa humbur kohë, me ministrin e ri të Shëndetësisë, do të fillojmë një plan për vendosjen nën kontroll të COVID-19 me masa të cilat ulin numrin e rasteve të reja dhe që çojnë drejt eliminimit të rasteve me vdekje. Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60 për qind të popullsisë, që do të sigurojë imunizim të mjaftueshëm për të filluar gradualisht kalimin në normalitet”, tha Kurti.
Kurs pa kompromise ndaj Serbisë
Ndërsa, sa i përket dialogut me Serbinë Kurti tha se do të ngre padi për gjenocid të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kompromiset që janë kërkuar e që kanë qenë të dëmshme tashmë janë bërë me pakon e Ahtisarit si çmim i paguar për shpalljen e pavarësinë. Asnjë kompromis tjetër nuk mund ta bëjmë e nuk do ta bëjmë”, tha Kurti. Sipas tij, orientimi i Kosovës është i qartë, aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi transatlantik.
“Prioritet në këtë dialog është zgjidhja e fatit të personave të zhdukur. Kemi 1.640 persona të zhdukur. Serbia nuk ka dënuar kënd për këtë krim. Në poligonin e qitjes në Batajnicë ku janë zhvarrosur 744 shqiptarë, nuk ka asnjë pllakë përkujtimore apo diçka që shënon se aty kishte një varrezë masive. Por, jemi të vetëdijshëm që afër 1/3 e të zhdukurve, fati i të cilëve nuk është zbardhur ende, nuk janë shqiptarë. 22 vjet pas luftës të gjitha familjet duhet të dinë të vërtetën për familjarët e tyre që të mbyllin plagët e hapura dhe që ne si shoqëri të fillojmë të shërohemi”, tha Albin Kurti. Ai tha se “Kosovës i duhet dialogu për kthimin e afër 3 miliardë euro të pensioneve të vjedhura nga Serbia; për kthimin e mbi 400 milionë eurove të vjedhura nga keqpërdorimi i energjisë elektrike, për adresimin e dëmeve të luftës, për borxhet e për suksesionet”, tha Kurti.
Lista serbe nuk e mbështet qeverinë e Albin Kurtit
Lista serbe nuk e mbështeti qeverinë e Albin Kurtit duke thënë se asaj i takojnë dy ministri në qeverinë e re, dhe jo vetëm një ministri e udhëhequr nga kryetari i listës Srpska Goran Rakiq. Përfaqësuesit e listës Srpska thanë se do të ankohen në Gjykatën Kushtetuese.
Para zgjedhjes së qeverisë, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi hodhi dyshime për dekretin presidencial për kryeministër Albin Kurti, për faktin që Kurti nuk ishte lejuar që të merrte pjesë në zgjedhje.
“Kemi një person që është dekretuar që të jetë kryeministër i vendit, ndërkohë kemi një qeveri dhe një kuvend që ka ra, pse një deputet ka qenë i dënuar për vepër penale. Pra, personi që është dekretuar është person me precedent penal, i dënuar dhe dënimi i tij nuk ka skaduar”, tha Arben Gashi.
Në një seancë të së njejtës ditë, kuvendi i Kosovës zgjodhi edhe kryetarin dhe kryesinë e kuvendit. Kryetar u zgjodh Glauk Konjufca i cili njëkohësisht tash ushtron edhe detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit. Këtë mandat mund ta ushtrojë vetëm deri me 5 maj kur skadon afati gjashtë mujor aq sa lejon kushtetuta të ushtrohet kjo detyrë, që nga dorëheqja e Hashim Thaçit, i cili po gjykohet në Hagë i dyshuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Qeveria jo problem, por posti i presidentit
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë. 20 vende të garantuara u takojnë pakicave, 10 nga to vetëm për serbët e Kosovës.
Zgjidhja e qeverisë së Kosovës nuk ishte problem për Lëvizjen Vetëvendosja, por shumë shpejt kjo legjislaturë duhet ta zgjedhë presidentin, që të paktën duhet të jetë prania në sallë e dy të tretave, 80 vota të deputetëve.
Mungon mbështetja për Vjosa Osmanin
Kandidate për presidente është Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi së bashku me Lëvizjen Vetëvendosja, pasiqë u nda me partinë e saj të vjetër Lidhja Demokratike e Kosovës. Dy partitë shqiptare që tashmë janë deklaruar se do të jenë në opozitë, LDK dhe AAK, nuk janë deklaruar qartë nëse do ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente, ndërkohë që PDK ka një qëndrim të prerë për këtë çështje.
Udhëheqësi i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, thotë se partia e tij është konsultuar për çështjen e presidentit dhe nuk do ta mbështesin Vjosa Osmanin.
“Njëri prej vendimeve të rëndësishme është që Këshilli Drejtues i PDK-së në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e zonjës Osmani për të qenë presidente e Kosovës”, tha Enver Hoxhaj.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës AAK, Ramush Haradinaj, thotë se partia e tij nuk dëshiron që “pushteti të koncentrohet në një parti të vetme”, duke lënë të kuptohet se nuk do ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente.
“Deri tash VV së bashku me Lëvizjen Guxo, ka marr shumicën e votave për të qeverisur me vendin, por nuk i kanë dy të tretat për zgjedhjen e presidentit. Po tash ta shohim se si do të veprojnë për ta zgjedhur këtë situate, pasi që edhe qeveria varet nga kjo. VV nuk i ka fituar zgjedhjet për të shkuar në zgjedhje, por për të qeverisur me vendin. Ne nuk do t’i japim përkrahje VV-së për ta koncentruar pushtetin te një partie e vetme”, thotë Ramush Haradinaj.
Dhe së fundi edhe lideri i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u shpreh se LDK nuk do të jetë pjesë e qeverisë dhe se nuk do të votojnë po ashtu siç thotë “president partiak”.
“Ne synojmë të ndërtojmë institucione, synojmë t’i shmangim zgjedhjet se qytetarët janë lodhur me zgjedhje, kërkojmë që pozita e presidentit të jetë e pavarur. Nuk po e personalizojë Hashim-Vjosë sepse po të ishte në nivel personal, zgjedhja do të ishte e thjeshtë. Kemi pasur president partiak sikurse Thaçi, nuk duam prapë një president partiak, presidenti duhet të ketë neutralitet”, thotë Lumir Abdixhiku.
Ndërkohë, shumica nga përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë në Kosovë kanë shprehur mbështetjen e tyre për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe qeverisë. E përfaqësuesit e Listës Srpska, nuk kanë thënë qartë nëse do ta votojnë qeverinë apo presidentin e ri. Lista Serbe, pas takimit me Kurtin dhe Osmanin, përmes një njoftimi për media tha se si “përfaqësuese legjitime e komunitetit serb, është e gatshme për konsultime dhe bisedime me qëllim të avancimit të kushteve në të cilat jetojnë serbët e Kosovës dhe se të gjitha partitë e tjera, që ndajnë këto qëndrime, do ta kenë Listën Serbe për bashkëbiseduese”, thotë lista Srpska.
Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse kjo dështon në dy raunde, organizohet votimi i tretë ku pretendenti për president duhet të ketë së paku 61 vota, por gjithsesi duhet të jenë në sallë 80 deputet nga 120 sa i ka kuvendi i Kosovës. Nëse edhe në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Kosovës, automatikisht shpërndahet parlamenti dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më larg se brenda 45 ditësh./ DW
g.kosovari