Kompania GFI, e cila ka marrë me koncesion markimin e karburanteve, ka ndërprerë aktivitetin gjatë mëngjesit të sotëm, duke bllokuar aktivitetin e tregtuesve të naftës në Porto Romano. Lajmi bëhet i ditur për Monitor nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve.
Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave autoritetet doganore, para se të bëjnë arkëtimin e akcizës, kërkojnë që kompania importuese e karburanteve të paraqesë faturën e markimit të karburanteve, që jepet nga koncesionari.
Kjo ka penguar daljen e autoboteve nga zona e lirë doganore. Si rrjedhojë, autobotet kanë mbetur të pamarkuara në ambientet e Portit të Karburanteve në Porto Romano dhe në bazë të vndimit të Këshillit të Ministrave, nuk dalin dot të pamarkuara. Tregu nuk është furnizuar sot në të gjithë Shqipërinë dhe operatorët pohojnë se në rast se vazhdon kjo situatë, problemet në furnizimin në treg mund të fillojnë të ndihen që gjatë pasdites së sotme.
I kontaktuar nga Monitor, z.Vangjel Birbo, administrator i GFI, nuk dha koment. Ndërsa burime nga Ministria e Financave thanë se po presin një informacion zyrtar nga GFI. Dy janë pikat e furnizimit me naftë në vend, në Porto Romano dhe në Vlorë (Petrolifera). Drejtori i Petrolifera, Anastas Goga, i kontaktuar nga Monitor pohoi se deri tani nuk kishin marrë ndonjë informacion nga GFI për ndërprerje aktiviteti, por ai shtoi se punonjësit e kësaj kompanie vijnë përgjithësisht pasdite në punë.
GFI Albania mori të drejtën mbi koncesionin e markimit të karburanteve në vitin 2011, ndërsa aktiviteti i kompanisë nisi në vitin 2013. Markimi i karburanteve u dha me koncesion nga qeveria e mëparshme me arsyetimin e parandalimit të abuzimit me cilësinë dhe shmangien nga akciza te karburanteve. Por që nga momenti i që koncesionari i ri nisi punën, grosistët e naftës janë ankuar pranë ministrisë së Financave se, markimi nuk po funksionon, pasi nuk është bërë asnjë investim. Përzierja me dorë e markuersit në pikat e shumicës ka shmangur qëllimin themelor për të cilin funksionin ky koncesion.