Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme, ku pritet të zgjidhet qeveria e re e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar kreun e partisë, Albin Kurtin për postin e kryeministrit. Kurti gjatë paraqitjes së ekspozesë para deputetëve tha se “pandemia mbetet sfida serioze”, duke shtuar se menjëherë do të ketë një plan për të luftuar pandeminë.
“Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60 për qind të popullsisë”, tha Kurti.
“Drejtësia, shëndetësia, arsimi dhe ekonomia kanë nevojë për reformë e cila duhet të fillojë shpejt”, shtoi ai.
Mbajtja e seancës vjen pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 22 mars, ku me 69 vota për, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë.
Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.
***
Kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar kabinetin e tij qeverisës këtë të hënë në seancën e Kuvendit. Kreu i LVV-së deklaroi se do të jenë gjithsej 15 ministra.
Nga këta, vetëm 8 do t’i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje ndërsa 1 e 3 do të jetë e përbërë nga femra. Kurti u zotua për llogaridhënie dhe përgjegjësi para deputetëve në Kuvend ndërsa kërkoi besimin e tyre.
“Nga 15 ministra vetëm 8 janë anëtarë të LVV. Nga 15 ministra, 5 janë gra. Nga kabineti jonë qeverisës me 18 anëtarë gjithsej, sërish 1 e 3, pra 6 janë gra dhe nga 3 zv/kryeministra, 2 janë gra. Kërkojmë besimin tuaj. Ofrojmë përkushtimin tonë. Zotohemi për llogaridhënie dhe përgjegjësi para jush”, tha Kurti.
Lista me emrat e ministrave:
Ministre e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.
Ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.
Ministër i Minsitrisë së Administrimit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ministër i Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.
Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq
Ministër për Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.
/tvklan.al
/a.r