Edmond Çekiçi, një eksponent i njohur i krimit që u vra me kallashnikov nga dy persona të maskuar si ushtarakë, dyshohet se është qëlluar nga vrasës me pagesë. Megjithëse automjeti me të cilin vrasësit kryen atentatin u dogj disa kilometra larg vendit ku ai u vra, grupi i hetimit në Durrës këmbëngul se ka gjetur prova me të cilat ka shpresë se do të shkohet te vrasësit. Pistat e ngritura për eleminimin e Çekiçit janë që nga vrasja me paramendim në kuadër të grupit kriminal, vrasja për hakmarrje dhe vrasja për larje hesapesh.
Por ndërsa këmbëngulet se Çekiçi është një nga anëtarët e bandës së Durrësit, policia nuk i ka ende të qarta motivet se përse u ekzkeutua Çekiçi, ndonëse jo zyrtarisht pranohet se ai u vra për të marrë hak mbi një vrasje të dyfishtë dhe të bujshme të dy viteve më parë që vazhdon të jetë e pazabardhur.
Por çfarë roli konkret kishte Çekiçi në bandën e Durrësit. Edhe pse i dënuar për vepra sekondare si armëmbajtja pa leje, ai me siguri është një nga elementët që për ngjarje të bujshme përherë ia ka dalë të fitojë nga mungesa e provave.
Ai nuk u gjykua asnjëherë, as u dyshua dhe as u mor i pandehur, pavarësisht se dyshohej se ishte anëtar i bandës së Durrësit. Fjala e dëshmitarit të drejtësisë së asokohe, Adriatik Coli që e përshkruante Edmond Koçin, ose Edmond Çekiçin, si të angazhuar në një vrasje, u gjet e paprovuar. Për këtë në mega-procesin ndaj bandës së Durrësit me 16 persona nën akuza që nga “krijimi i organizatës kriminale”, “rrëmbimi e vrasjet”, emri i Mond Çekiçit rrëfehet nga Coli sipas dosjes, gjatë vrasjes së Eduart Ongarit
Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendoi se Çekiçi kishte vëzhguar lëvizjet e viktimës derisa grupi i Durrësit e gjeti në një lokal dhe e vrau, pasi e kishte identifikuar si njeriun e Marsel Sotirës, një kundërshtar i bandës. Konflikti u ashpërsua pas vrasjes së dy bashkëpunëtorëve të Lulzim Berishës, Arben Pajës dhe Ilir Xhungës, që u qëlluan për vdekje në makinën që përdorej zakonisht nga anëtari tjetër i bandës Klodian Saliu. Prokuroria tregon se pikërisht pas këtij ekzekutimi “kjo ngjarje ka sjellë shumë pikëllim te pjesëtarët e tjerë të grupimit ku bënin pjesë viktimat Xhunga e Paja, (posaçërisht shtetasi Klodian Saliu është ndjerë shumë keq, gjë të cilën e ka vënë re edhe dëshmitarja V.J.), por njëkohësisht kanë shtuar vendosmërinë e tyre për t’u hakmarrë e për të goditur dhe eleminuar grupimin kundërshtar.”
Përgatitjet për t’u hakmarrë shënjestrojnë si viktimë të radhës nga pala kundërshtare Eduart Ongarin.
Prokuroria deklaron në dosje se “ky u përzgjodh edhe për faktin se pjesëtarët e këtij grupimi kriminal kishin dyshime se Eduart Ongari ishte personi që i kishte strehuar autorët e vrasjes së shokëve të tyre Ilir Xhunga e Arben Paja si dhe kishte marrë pjesë edhe vetë në vrasjen e tyre.”
Bazuar në dëshminë e Adriatik Colit grupi nisi sigurimin e mjeteve me të cilat do të kryhej vrasja. Fillimisht gjendet një autoveturë e vjedhur benz 2400, dy armë “skorpjons” dhe automatik kallashnikov, mjete maskuese dhe paruke të kuqe dhe kapele e zezë meshini.
“Kanë studiuar lëvizjet e shtetasit Eduart Ongari dhe kanë verifikuar se ai shkon shpesh te një lokal buzë rruge, në lagjen nr.16, jo larg nga shtëpia e Colit”.
Por teksa përmendet se spiuni që do të vëzhgonte Ongarin ishte pikërisht Çekiçi, gjykata e refuzon këtë version duke thënë se nuk ka asnjë provë që e vërteton këtë tezë.
“Nuk ka munguar as rekrutimi i një personi në ruajtje të tij, i cili, nuk është identifikuar plotësisht. Gjykata, me këtë rast, pranon argumentin e mbrojtjes, se ndryshe nga sa pretendon akuza, në këtë ngjarje nuk ka ndikuar as të afërmit e të pandehurit Lulëzim Berisha, pasi pretendimi i akuzës, i mbështetur vetëm në deklarimet e të pandehurit Coli se “Mond Çekiçi ka njoftuar tek shtëpia e vjerrit të Lulit e se aty ka qenë e shoqja e tij, se është njoftuar e motra e Lulëzimit e më pas nga këta persona të afërt është njoftuar vetë Lulëzimi”, mbeten vetëm pretendime”, shkruan gjykata e asaj kohe.
Më tej për Çekiçin përshkruhet edhe dëshmia e tij që kundërshton këtë version:
“Gjykata konkludon kështu sepse deklarimi i të pandehurit Coli se ka qenë Mond Cekiçi, jo vetëm nuk u provua në gjykim, por për të as nuk janë nisur hetime e as nuk është marrë si i pandehur, ndërkohë që edhe u paraqit vetë në seancë gjyqësore dhe me dëshminë e tij dëshmitari Edmond Koçi (alias Mond Çekiçi) mohoi çdo lloj dijenie e kontakti me të pandehurit apo familjarët e tyre për këtë ngjarje.
Për më tepër, nisur nga përshkrimi, nga ana e deklaruesit Julian Korpuzi, i lëvizjes para ngjarjes së viktimës Eduart, mbërritja e tyre në lokalin ku ndodhi ngjarja e mënyra e takimit me bashkëbiseduesit e tjerë, tregon se, njoftimi i të pandehurve nuk lidhet vetëm me momentin kur viktima është ulur këtu, por ai është ndjekur e survejuar më parë, gjatë lëvizjeve të tij. Gjatë hetimit, personi që vëzhgoi lëvizjet e Ongarit nuk u identifikua asnjëherë, megjithëse gjykata vlerëson se ky person nuk ka qenë as Plaurent Dervishaj, një anëtar tjetër në grup.
Dëshmitari i drejtësisë, Coli, i tha drejtësisë në atë kohë se iu këkrua të zbriste nga makina, menjëherë pasi grupi mësoi adresën e shënjestrës, që ai të afrohej e të shikonte sa persona gjendeshin me Ongarin.
“U tregova me dorë numrin e personave në tavolinën e viktimës. Ata ishin krejt të shpërqendruar duke treguar barsaleta dhe po qeshnin. Ndërkohë në drejtim të tavolinës ecën me hap të zakonshëm Lulzim Berisha dhe Klodian Sali. Ky i fundit kishte kapelen në kokë dhe “skorpjonsin” në dorë, kurse pas tij vinte i pandehuri Lulzim Bersiha me automatik në dorë. Asnjëri prej tyre nuk kishte maskë, por i pandehuri Lulzim kishte në kokë një paruke me të cilën ndryshonte vetëm paraqitjen fizike në lidhje me flokët”, përshkruan Coli para drejtësisë për këtë vrasje.
“Ende pa u afruar te tavolina, shtetasi Klodjan Saliu ka qëlluar me breshëri në drejtim të viktimës Eduart Ongari. Nga goditjet, shtetasi Eduart Ongari bie më kokë në tavolinë dhe rezulton se ka vdekur menjëherë, ndërsa shokët e tij, janë larguar me shpejtësi. Pas vrasjes së Ongarit, drejtimin e makinës tip Benz 240 me ngjyrë vishnje e merr i pandehuri Indrit Taullai dhe në të futen i pandehuri Lulzim Berisha e shtetasi Klodjan Saliu. Menjëherë, me këtë makinë, janë larguar nga vendi i ngjarjes”, thotë dëshmitari i mbrojtur.