Kjo e fundit vendosi disa ditë më pas se rreziqet nga efektet anësore të vaksinës ishin shumë të vogla në krahasim me benefitet. Vendimi i Gjermanisë për të ndaluar fushatën e vaksinimit me AstraZeneca erdhi në një kohë të papërshtatshme, duke e kaluar në pauzë procesin në një kohë kur Europa po përballet me një valë të re infeksionesh, që i ka detyruar vendet të vendosin një sërë kufizimesh.
Kjo fushatë kaotike gjithashtu kërcënon të godasë fort besueshmërinë e BE-së, si në nivel global, ashtu edhe me qytetarët e saj, dhe të vonojë rihapjen e ekonomive të shkatërruara të Evropës. 27 shtetet e BE-së të marra së bashku kanë vaksinuar deri tani vetëm 8.3% të popullsisë së tyre krahasuar me 39% në Mbretërinë e Bashkuar dhe 23% në SHBA, sipas Bloomberg Vaccine Tracker.
Pyetja është se si Blloku do të dalë nga ajo që është pa dyshim prova më e madhe e unitetit.
Gjithashtu, ekziston rreziku gjithashtu që “farat e freskëta” të dyshimit të kenë shkaktuar dëme të qëndrueshme në një vaksinë që po përdoret në të gjithë botën dhe është kali i betejës në luftën me pandeminë. Vetëm disa ditë pasi morën miliona doza të AstraZeneca përmes Covax, struktura e mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të siguruar doza për vendet e varfra, vendet nga Indonezia në Republikën Demokratike të Kongos ndoqën shembullin e Evropës dhe ndaluan përdorimin e saj.
Pezullimi i vaksinës AstraZeneca ishte vetëm kapitulli i fundit në marrëdhëniet e dashurisë dhe urrejtjes së kontinentit me vaksinën e zhvilluar nga shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit. Gjatë dy muajve të fundit, udhëheqësit evropianë e kishin denigruar me radhë vaksinën si joefektive dhe e akuzuan kompaninë britanike-suedeze se nuk ia doli të çonte në fund furnzimin me dozat e premtuara, madje duke kërcënuar edhe se do ta hidhnin në gjyq.
Fushata europiane e vaksinimit është karakterizuar nga problemet që nga fillimi, duke nisur me vendimin për të bashkuar prokurimet në 27 vendet anëtare, një strategji që synon qasje të drejtë, por një që ngadalësoi përpjekjen e BE-së për të finalizuar kontratat e vaksinave. Autorizimi i vaksinave nga EMA gjithashtu ngeci, duke vonuar fillimin e programit.
Evropa tani përballet me një betejë të vështirë për të bindur qytetarët ta bëjnë vaksinën.