Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur mëngjesin e kësaj të shtune në qytetin e Durrësit. Edmond Koçi, i njohur ndryshe si Mond Çekiçi, është vrarë me armë zjarri në një atentat. Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 16 të qytetit. Klan News raportoi se autorët i kanë prerë rrugën 40-vjeçarit, i cili po udhëtonte në një makinë sëbashku me shoferin e tij. Pasi shoferi ka dalë nga makina për të pyetur se çfarë ka ndodhur, autorët kanë dalë nga mjeti i tyre dhe kanë ekzekutuar Koçin.
“Dyshohet se ndaj 40-vjeçarit është qëlluar me breshëri automatiku. Dyshohet se kanë qenë më shumë se dy autorët që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndë. Nga dëshmitë e para mësohet se autorët nuk kanë qenë të maskuar në momentin që kanë qëlluar ndaj tij. Është ky versioni që vjen nga dëshmitarët që kanë qenë të pranishëm pasi zona është mjaft e frekuentuar në orën ku ka ndodhur krimi”, raportoi gazetarja Enkeleda Arapi.
Mond Çekiçi është një person me rrezikshmëri, pasi ka qenë pjesë e bandës së Lulzim Berishës. Ai ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të policisë. Në vitin 2009 është dënuar me 2 vjet burg. Emri i 40-vjeçarit është lidhur me disa ngjarje kriminale në qytetin bregdetar, prandaj një nga pistat kryesore që po hetohet është ajo e larjes së hesapeve. Gazetarja Enkeleda Arapi raportoi se në zonën ku ka ndodhur krimi janë sekuestruar disa kamera sigurie që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
“Edmond Çekiçi njihet si person problematik në qytetin e Durrësit. Ka qenë pjesë e bandës së Lulzim Berishës vite më parë. Në qytetin bregdetar njihet edhe si Mond Çekiçi. Ka një të shkuar të rënduar kriminale. Policia aktualisht krimin e lidh me aktivitetin e tij kriminal të mëparshëm duke dyshuar që edhe vrasja ka të bëjë me të shkuarën e tij. Nuk përjashtohen edhe pistat e fundit sa i përket aktivitetit të tij nëse ky i fundit ishte përfshirë në ndonjë aktivitet kryesisht kriminal në trafikun e lëndëve narkotike”.
Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë dhe thotë se po punohet edhe në Sukth, atje ku u gjet makina e djegur që dyshohet se është përdorur nga autorët. Policia po kërkon për prova, të cilat mund të shërbejnë për identifikimin e tyre. Mësohet se në ambientet e Policisë së Durrësit po shoqërohen disa persona që mund të kenë dijeni për këtë ngjarje të rëndë.
/a.r