Një ngjarje e rëndë është shënuar në Meksikë. Mediat e huaja shkruajnë se anëtarë të karteleve të bandave, kanë vrarë plot 13 policë, në një pritë që iu bë jo shumë larg kryeqytetit të vendit.
Reuters, ilustron imazhet nga skena e tmerrshme, ku shihet një makinë policie e tejmbushur me plumba dhe një kamion, ndërsa në rrugë shfaqen trupat e pajetë të policëve të shpërndarë. Mediat theksojnë se kolona e automjeteve policore u sulmua në mes të ditës nga anëtarë të dyshuar të bandës në zonën Llano Grande.
“Ky sulm është një fyerje për shtetin meksikan. Ne do të përgjigjemi me të gjithë forcën dhe mbështetjen e ligjit”, ka thënë ministri Rodrigo Martinez-Celisnë në një fjalim për mediat.
Ndërkohë bëhet e ditur se policia e Gardës Kombëtare dhe forcat e armatosura po kërkojnë autorët nga toka dhe ajri.
/a.r