Kompania për Marketing dhe Hulumtim të Opinionit Publik (IPSOS), një nga kompanitë lider të sondazheve në botë, sonte në emisionin “Open” paraqet sondazhin e dytë të opinionit publik në Shqipëri mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Sondazhi është kryer në periudhën 3 deri më 9 mars 2021 me të intervistuar mbi 18 vjeç. 1519 të anketuarit i janë përgjigjur pyetjeve nëse Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur apo të gabuar, cilat janë problemet më të rëndësishme për të cilën të intervistuarit janë më shumë të interesuar në vend e që do të ndikonte në votën e tyre.
Nisur nga sondazhi, 62% e shqiptarëve e konsiderojnë Edi Ramën lider të fortë, ndërsa vetëm 32% e shqiptarëve mendojnë kështu për Lulzim Bashën.
55% e shqiptarëve e mendojnë të aftë Ramën, kurse 37% mendojnë kështu për Bashën.
Për pyetjen nëse ka besimin e partisë së tij, 55% e shqiptarëve mendojnë pozitivisht për Ramën dhe vetëm 38% mendojnë në të njëjtën mënyrë për Bashën. 44% e shqiptarëve mendojnë se Rama është i besueshëm dhe 33% e qytetarëve mendojnë kështu për Bashën.
50% e qytetarëve mendojnë se Edi Rama është lehtësisht i ndikuar nga grupet e interesit, ndërsa për Bashën mendojnë 44%. 49% e qytetarëve mendojnë se Rama ka aftësinë t’i çojë gjërat deri në fund, ndërsa për bashin mendojnë 32%.
49% e qytetarëve mendojnë se Rama zotëron mirë politikat e huaja, kurse 35% e shqiptarëve mendojnë kështu për Bashën.
/a.r