Pyetjes lidhur me rëndësinë e zgjedhjeve të 25 prillit, analisti Mustafa Nano iu përgjigj duke thënë se nuk janë vendimtare për Shqipërinë por për disa persona.
Nano analizoi se këto zgjedhje janë “vendimtare për Bashën sepse nëse humb edhe këtë herë nuk ka alibi që mund ta mbaj në krye të partisë”, ndërkohë që shtoi se “nëse fiton Basha do të bëhej kryeministër dhe nëse Rama humb do të ikë në shtëpi”.
Besoni se e majta do arrijë objektivin për të marrë 4 mandate në Shkodër aq më tepër që drejtues politik nuk është më Ditmir Bushati, por Ilir Beqaj?
Unë nuk besoj se individë të caktuar janë përcaktues. Ditmir Bushati është një figurë, por fitorja e 4 mandateve herën e kaluar është se erërat frynin në favor të Ramës dhe kushdo të ishte do të merrte 4 mandate. 3 mandate janë dështim për PS në Shkodër.
Thuhet që këto zgjedhje janë vendimtare, çfarë rëndësie kanë ato sipas jush? Mund t’i quajmë fundin e tranzicionit në rast se do kalohet në bashkëqeverisje?
Është njëlloj refreni që ne e themi gjithë kohën dhe të gjitha gjërat që ne themi janë vendimtare, historike, janë përdorur kaq shumë këto. Nuk janë zgjedhje vendimtare për kombin, por për disa persona. Janë vendimtare për Bashën sepse nëse humb edhe këtë herë nuk ka alibi që mund ta mbaj në krye të partisë.
Këto zgjedhje karrierën e kujt do përcaktojnë le të themi?
Ndoshta do ndikojnë në karrierën e gjithkujt, nëse fiton Basha do të bëhej kryeministër dhe nëse Rama humb do të ikë në shtëpi.
Te Partia Socialiste po ndodh një rotacion brezash. Sipas mendimit tuaj kë shihni si pasardhës të zotit Rama në PS, nisur nga ajo që ju keni deklaruar se partitë politike në Shqipëri nuk janë demokratike
Nuk janë demokrateke dhe ky është një nga problemet më të mëdha dhe të gjitha problemet e kanë burimin këtu. Historia e këtyre 30 viteve ka treguar se kryetarët janë përgatitur përpara se të bëhen kryetarë dhe lënë të kuptohet se kush do të jetë.
Po PS kë po përgatit?
Besoj është Erion Veliaj, ka postin më të rëndësishëm pas Ramës. Nëse Rama do përpiqet të ndikojë pas ikjes së tij do ndikojë për Veliajn. Veliaj e ka garën të lehtë sepse ka bërë gjëra për Tiranën dhe konsiderohet i suksesshëm.
Si e shikoni zotin Berisha pas këtyre zgjedhjeve, e pranoni tezën që në rast të humbjes së zgjedhjeve nga PD, djali i tij apo familjarë do vijnë në krye të PD-së. Një tezë kjo që ka qarkulluar në media.
Nano: Unë nuk e besoj, është një tezë e vjetër, janë gjëra që kërkojnë të ndezin Berishën. Nuk besoj që mund të arrij në këto nivele Berisha, është njëlloj sensacioni që krijohet në media. Pas zgjedhjeve nëse Basha nuk bëhet kryeministër defacto do të jetë kryetari i PD. Berisha e ka të pamundur të distancohet.