Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, ishte i ftuari i radhës në studion e emisionit “FrontLine”, në “News 24”, drejtuar nga gazetarja Marsela Karapanço.
Gjatë bisedës në studio, Manja u ndal tek Reforma në Drejtësi dhe rolin e SPAK-ut. Ai tha se aktualisht kjo strukturë po punon e qetë dhe sipas deputetit shpejt mund të kemi rezultatet e para.
Manja shtoi më tej, se sipas tij, PD e ka deklaruar me zë dhe figurë që do e zhbëjnë Reformën në Drejtësi, e kjo sipas deputetit socialist, është një shenjë që drejtësia po vepron.
Përse parlamenti do të vijojë edhe pas zgjedhjeve, puna nuk do të ndërpritet dhe do të kemi rikthim të seancave plenare?
Ulsi Manja: Komisioni i ligjeve që unë drejtoj caktoi datat deri më 9 prill. Do të ketë një ndërprerje të parlamentit për shkak të fushatës zgjedhore, por parlamenti do të mblidhet edhe pas zgjedhjeve të prillit, të paktën deri më 9 korrik. Nuk do të ketë shpërndarje të parlamentit. Do të ishte absurde që parlamenti të mos funksiononte nga prilli deri në shtator. Parlamenti është zemra në një sistem demokratik.
Reforma Drejtësi është mbështetur që nga 2016, pse po rishikohet?
Ulsi Manja: Sot komisioni i ligjeve dhe parlamenti do të miratojnë disa shtesa. Janë 10 projektligji që po diskutohen, këto ndryshime janë diskutuar dhe propozuar me institucionet e reja në drejtësi. Janë shtesa dhe ndryshime synohet të eliminohet sistemi i drejtësisë për shkak të rënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të Vettingut. Synohet të lehtësohet paksa dhe procesi i SPAK-ut. SPAK-u sot është struktura që heton korrupsionit në të gjitha shkallët.
Kuvendi ka tentuar të fusë prapë duart në Reformën në Drejtësi. Pse po bëhen këto ndryshime. Vettingu ka qenë një nga ndryshimet që kanë kaluar sot?
Ulsi Manja: Dua të jem i qartë, nuk po fut duart Kuvendi në ligjet e Reformës në Drejtësi. Sepse e kemi deklaruar se në këtë reformë jemi bashkautorë me BE dhe ndërkombëtarët. Janë konsultuar këto ndryshime me Këshillin e Lartë Gjyqësor, pra është marrë mendimi i të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë, ndryshimet kanë qenë kërkesë e këtyre institucioneve. Janë tre vite që këto institucione po punojnë me ligjet. Por nuk ka lidhje fare me zgjedhjet e prillit. SPAK-u duhet të merret për atë që u konceptua.
Sa e ka bërë SPAK-u detyrën deri më tani?
Ulsi Manja: Makineria e sistemit të re të drejtësisë kanë nisur të lëvizin lirshëm. Edhe SPAK-u është në punë sot që flasim, edhe Byroja Kombëtare e Hetimit. SPAK-u ka nisur me gjëra konkrete, është e nevojshme që edhe në dyert e drejtësisë të kemi goditje në nivele të larta.
Shqiptarët duhet të dinë kush janë zyrtarët e korruptuar?
Ulsi Manja: Prokuroria është një program i pavarur, po heton, ka çështje që janë në hetim dhe duhet të priten përgjigjet konkrete. Pas kësaj reforme qytetarët shqiptarë presin diçka konkrete, sepse ligjet i miratuam, kjo mazhorancë ka dhënë suportin e duhur financiar. Por fakti që edhe në zgjedhjet e prillit reforma në sistemin e drejtësisë do të jetë kali i betejës mes dy kampeve. Pala tjetër e ka deklaruar me zë dhe figurë që nëse do të kenë votën e shqiptarëve më 25 prill, kanë thënë zhbërjen e reformës. Kjo më lë të besoj se drejtësia e re në veprim ka filluar të dhurojë rezultate konkrete mbi politikën, por jo vetëm. Ata kanë thënë nëse do të vijmë në pushtet do e rishikojmë reformën në drejtësi, sepse sipas tyre nuk është, por quhet Ramaforma. Në këtë reformë kushtetuese jemi bashkëpunëtorë me SHBA. Pala tjetër, e ka deklaruar nëse do të vijmë në pushtet, larg qoftë, të rrinë të qetë ku janë.