Një tjetër familje në Farkë hyri sot në shtëpinë e re, të rindërtuar, me kushte e cilësi shumë më të mira se e para. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi familjen Plaku, teksa theksoi se brenda këtij viti pritet që të përfundojnë shtëpitë e dëmtuara nga tërmetet që goditën vendin.
“Në programin e PS-së është që për këtë vit do i mbarojmë të 4500 shtëpitë. Janë 4500 si Zyhdiu në zonën e tërmetit, të cilët të gjithë do marrin shtëpitë e tyre të reja. Kjo përfshin edhe ata që do marrin apartamente, pra shtëpitë individuale dhe pallatet në Kinostudio e Kombinat. Unë e di që ka njerëz që merren me llafe e thonë nuk do i bëjnë, por ja ku jemi, nuk ka javë që nuk kemi ardhur në Farkë, s’ka javë që s’kemi qenë në Baldushk e Vaqarr”, u shpreh Veliaj.
Me familjen në Farkë kryebashkiaku ndau edhe disa lajme të mira për të gjithë kryeqytetasit.
“Do bëjmë një rritje të rrogave për gjithë ata që kanë filluar bizneset e vogla. Deri në 400 mijë lekë do e kenë pa taksa. Gjithashtu, do caktojmë 10 mln euro vetëm për biznese ose sipërmarrje që lidhin të rinjtë me njeri-tjetrin. Me Këshillin Bashkiak kemi kaluar 1000 kredi të buta për çiftet e reja çdo vit, pra kur të rinjtë vendosin që janë gati të krijojnë familje. Lajmi tjetër i mirë është se qeveria do na japë mbështetje Tiranës, Vlorës e Durrësit, që të kalojmë 100% të qytetit me 24 orë ujë. Sot jemi 70%, që është gjë e mirë”, sqaroi Veliaj.
Kryebashkiaku shoqërohej edhe nga aktori i humorit Gazmend Paja, i cili me humor i tha Veliajt: “T’u shtoftë inati kryetar”.
“Të nisësh ditën kaq bukur, të marrësh bekimin e këtyre njerëzve: Bravo ju qoftë kryetar, bashkë me grupin. Të shohësh gjëra kaq të mira, ta nisësh ditën kështu ku ne jemi pozicionuar në shoqëri, ne jemi pozicionuar të kënaqim njerëzit, ti në formën tënde, unë në formën time, por kur merr bekimet në fund, unë e ndjeva rrugës këtë, është një i emocion vërtetë”, nënvizoi aktori i humorit, Gaz Paja.