Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për dijeni edhe ambasadorëve të huaj në Tiranë, përmes të cilës pretendon se klima mes forcave politike që do marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit është cenuar rëndë.
Meta i referohet përplasjeve në selinë e FRD-së, ku ishte vetë protagonist, duke marrë rolin e rojës së godinës, policit, prokurorit, gjyqtarit dhe madje edhe përmbaruesit. Në letrën e tij, Meta thotë se FRD është sulmuar dhunshëm nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Meta shkruan se “ky sulm është një tjetër tregues i sjelljes tërësisht të papërgjegjshme dhe provokuese të mazhorancës, me qëllim dëmtimin e aktivitetit kushtetues dhe ligjor të kësaj force politike pjesëmarrëse në zgjedhje, por njëkohësisht edhe një dëshmi e përpjekjeve të saj sistematike për të minuar pluralizmin politik në vend”.
Meta shprehet se gjatë gjithë fushatës zgjedhore do të monitorojë çdo veprim apo mosveprim të kundraligjshëm.