Universiteti skocez ”Robert Gordon” (RGU) i Aberdinit njoftoi sot se do të tërhiqte të drejtën e titullit akademik “honoris causa” Donald Trumpit, që i ishte dhënë këtij të fundit, duke i cilësuar deklaratat e miliaderit amerikan “të papajtueshme” me vlerat e tij.
“Në kuadër të fushatës elektorale amerikane, Trump ka bërë një sërë deklaratash tërësisht të papajtueshme me frymën dhe vlerat e universitetit”, deklaroi një zëdhënës i RGU-së.
“Për rrjedhojë, universiteti vendosi të heqë titullin ‘honoris causa”, shtoi ai.
Trump, sipërmarrës dhe pronar i dy fushave të golfit në Skoci si edhe me nënë me origjinë skoceze, ishte nderuar me titullin honorifik në vitin 2010.