Nga ARTUR AJAZI
Një prej të larguarve nga Partia Demokratike, (emër i njohur i atyre viteve) i cili përdorej shpesh dikur për të “ujdisur punët e vështira” sidomos gjatë zgjedhjeve, ka qenë dhe iniciatori i krijimit të atij që quhej brënda asaj partie “struktura e posaçme”. Ai gjendej në fushata elektorale, organizonte dhe shfaqej në takimet e lidershipit të asaj partie, organizonte paramilitarët e rretheve, të cilët kryenin aksione të vjedhjes dhe blerjes së votave, apo dhe presioneve dhe dhunimit të kundërshtarëve. Asgjë nga e kaluara e asaj partie nuk ka mundur të fshihet dhe harrohet, edhe sot e kësaj dite. Degët e rretheve (edhe pse të ç’organizuara nga pikëpamja strukturale) kanë nisur piketimin e familjeve dhe elementëve të cilët janë të lëkundur, të tërhequr nga ajo parti, për të mundësuar rikthimin e votës “pro” tyre. Por nuk kanë mundur. Dhuna dhe efektet e saj kanë qenë dhe mbeten “nyja Gordiane” e saj partie gjithmonë kur vijnë zgjedhjet e reja. Eksperienca e vjedhjes dhe rrahjes barbare të opozitës në zgjedhjet e 26 Majit 1996, “fitorja” e pushtetit me vota të vjedhura dhe të blera, duke përdorur bandat e asaj kohe, ngriti nevojën e një strukture ilegale brënda asaj force politike, e cila do të merrej me “çështjet dhe problemet e fushatave”. Gjithëkush i kujton, se si degët e Partisë Demokratike në rrethe, ktheheshin në streha të bandave, në financuesit dhe avokatë të tyre. Askush nga ne nuk ka harruar se si celula që pergatiste dhunën, kishte një organizim perfekt, aq sa të krijonte përshtypjen e një strukture ushtarako-policore.Ajo financohej nga partia, fitonte dhe ndikonte në marrjen e tenderave,merrte sponsorizime nga firma dhe kompani biznesi.Nuk përjashtoheshin edhe gjobat ndaj bizneseve, sidomos me afrimin e fushatave, të cilat ishin të detyruara të paguanin për të mos patur probleme. Pothuajse në të gjitha qytetet, njiheshin përfaqësuesit e “strukturës së posaçme” të dhunës. Ata “i binin derës me shkelm” të kryetarit të degës së PD, dhe thuajse bënin ligjin në fushata dhe pas tyre. Ngjarja e fundit e ndodhur në disa qytete të vendit, dalja me flamuj partie edhe në ditë feste, thirrjet banale dhe sharjet, provokimet dhe sherret mes bulevardeve, treguan se “struktura e posaçme” funksionon mrekullisht në kampin opozitar. Partia Demokratike ka qenë, është dhe mbetet peng i dhunës, dhe mentalitetit stalinist, sipas të cilit “pushteti merret vetëm me dhunë”. Vota e lirë i tremb, i tromaks, i demoralizon ata. Ata duan vetëm akte dhune, duan viktima, duan kuti të mbushura plot me fletë votimi, duan fitore me 99.99 per qind. Kështu i ka instruktuar i Madhi. Ai që nuk është mësuar me mungesën e pushtetit, ai që realizoi në praktikë për herën e parë në historinë e pluralizmit shqiptar, vjedhjen e votës , rrahjen dhe burgosjen e kundërshtarit politik. Duke qenë të vetëdijshëm në paaftësinë për të ringjallur besimin dhe shpresën tek shumica e shqiptarëve, opozita pa asnjë dyshim do të hedhë në “fushën e betejës elektorale”, si shansin e fundit për të fituar, “strukturën e posaçme”. Madje e ka nisur nga 14 Marsi, dhe nuk ka shanse ta ndalë marrëzinë e saj, deri në arritjen e synimit për destabilizimin e vendit. Eshtë detyrë e çdo shqiptari, por edhe e strukturave të institucioneve ligjzbatuese, të ndalin veprime të tilla. Në fushatën e 2021, vetëm ta mendosh termin “dhunë”, është çmenduri njerëzore dhe vetëvrasje politike.