Autoritetet policore amerikane thonë se një 21-vjeçar është kapur disa orë pasi tetë vetë u vranë nga të shtëna me armë zjarri në tre sallone masazhi, në zonën e Atlantës, SHBA.
Pamjet e publikuara nga Zyra e Sherifit të Qarkut Cherokee, në Georgia, tregon një person që qëllon në një sallon masazhesh.
Të shtënat ndodhën në dy sallone masazhesh në Atlanta dhe një në periferi, të martën në mbrëmje.
Mediat amerikane raportojnë se mbetën tetë persona të vdekur, shumë prej tyre gra me origjinë aziatike, duke iu referuar burimeve zyrtare.
Një 21-vjeçar i dyshuar u arrestua pas kërkimeve, tha policia.
Sulmet filluan rreth orës 5 të pasdites së të martës, ora amerikane, kur pesë persona u qëlluan në Sallonin e Masazhit për të Rinjtë Aziiatik, rreth 30 milje (50 kilometra) në veri të Atlantës, tha zëdhënësi i Zyrës së Sherifit të Qarkut Cherokee, kapiteni Jay Baker.
Rreth orës 5:50 pasdite, policia në lagjen Buckhead të Atlantës gjeti tre gra të vdekura nga plagët e dukshme me armë zjarri në “Gold Spa”. Ndërsa ishin në atë skenë krimi, ata u njoftuan për një telefonatë që raportonte të shtëna në një qendër masazhi tjetër përtej rrugës, Aromatherapy Spa, dhe gjetën një grua që ishte qëlluar për vdekje brenda biznesit.
“Duket se ato mund të jenë aziatike,” tha Shefi i Policisë së Atlantës Rodney Bryant.
Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut tha në deklaratën e së mërkurës se diplomatët e saj në Atlanta kanë konfirmuar nga policia se katër nga viktimat që vdiqën ishin gra me origjinë loreane.
Vrasjet erdhën midis një vale sulmesh të kohëve të fundit kundër aziatiko-amerikanëve që përkuan me përhapjen e koronavirusit në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
/a.r