Pandeli Majko, ministri për Diasporën, i ftuar në Absolut 4 në A2, ku u fol për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur të njëjtën qasje si ndaj qeverive të djathta, ashtu edhe atyre të majta.
“Nëse ka pasur një shtet që na ka mirëkuptuar dhe në një mënyrë apo në një tjetër, e ka tejkaluar shumë herë më shpejt sesa ne këtë marrëdhënie të ndërlikuar me të kaluarën, besoj se e kanë mirëkuptuar.
Mënyra se si Shqipëria dhe shqiptarët kanë reflektuar pas vitit 1990 flet më shumë sesa një ndjesë apo një histori e gjatë shfajësimi.
Më të ndërlikuar kemi qenë në vetë. Kritikat që i kemi bërë njëri-tjetrit në lidhje me marrëdhëniet me SHBA, kam përshtypjen, që më tepër kanë qenë të lidhur me interesa afatshkurtra sesa realiste.
Amerikanët kanë qenë njëlloj si me qeveritë e djathta ashtu edhe të majta”, u shpreh Majko.
Majko tregoi edhe një histori me një gjeneral amerikan të NATO-s kur e kishte pyetur atë për bunkerët e ndërtuar në kohën e komunizmit në vendin tonë.
“Po të hapim arkivat dhe të shikojmë se kush i ka kritikuar SHBA-të do të vihemi në vështirësi, për një arsye apo për një tjetër pasi kanë punuar në një punë shteti.
Me një mikun tim, gjeneral amerikan i NATO-s, po vizitonim bunkerët në bazën e Pashalimanit.
Ai ishte i mrekulluar dhe hyrë e dil në bunkerë, na e solli edhe shpirtin në majë të hundës se do të shkonim të hanim edhe drekën.
Në një moment, i ngazëllyer nga të gjithë këto ndërtime ushtarake, më tha, kjo është një mrekulli, pse e kemi bërë të gjithë këtë infrastrukturë?
Por mua më kishte ardhur pak shpirti në majë të hundës dhe me gjysmë humori i them, për t’iu luftuar ju.
Prit e prit, e prit, ju nuk erdhët dhe ne vendosëm të dorëzoheshim vetë”, tregoi Majko.