Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje vendeve të tregohen tejet të kujdesshëm lidhur më të ashtuquajturat certifikata të vaksinimit, ndërsa qasja ndaj vaksinave rreth globit vijon të jetë e pabarabartë.
Ideja e një pasaporte vaksinimi po shqyrtohet si një mundësi për të rihapur ekonominë, duke identifikuar personat e mbrojtur nga koronavirusi. Bashkimi Europian pritet të prezantojë propozimin, mbi “pasaportën e gjelbër digjitale”, siç e quan, një dokument që do të shërbejë për të treguar provën se një person është vaksinuar ndaj koronavirusit, me qëllim rikthimin e lëvizjes mes vendeve Shengen.
“Duhet të jemi ekstremisht të kujdesshëm pasi për momentin po përballemi me një situatë tmerrësisht të padrejtë në botë, ku mundësia që të të ofrohet apo të marrë një vaksinë është lidhur ngushtësisht me vendin ku jeton”.
Eksperti i OBSH-së kujtoi se komiteti i emergjencave në këtë institucion këshilloi kundër certifikatave të vaksinimit si kusht për udhëtimet ndërkombëtare. Kina ka lëshuar një certifikatë digjitale vaksinimi për qytetarët e saj që planifikojnë të udhëtojnë përtej kufirit, duke ju bashkuar vendeve të tjera që veprojnë në të njëjtën mënyrë, të tilla si Izraeli apo Bahreini.
Bashkimi Europian u dakordësua për idenë e pasaportave të vaksinimit nën trysninë e vendeve që varen kryesisht nga turizmi, të tilla si Greqia apo Spanja./a.p