Partitë opozitare që po e kundërshtojnë marrëveshjen për demarkacion dhe vijën kufitare me Malin e Zi, në vitin 2012 e kishin pranuar atë, duke aprovuar Projektligjin për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, malet e të cilave kufizohen me vijën e njëjtë kufitare me Malin e Zi, sikurse tash me marrëveshjen për demarkacion. Këtë e ka konfirmuar edhe Murat Meha, kryetar i Komisionit për Demarkacionin. Murat Meha, kryetar i Komisionit Qeveritar për Demarkacionin, në një prononcim për Express ka thënë se është e njëjta vijë kufitare me marrëveshjen e fundit për demarkacionin. “Është saktësisht e njëjta vijë kufitare. Aty janë të bashkangjitura edhe hartatopgrafike e KFOR-it, sipas marrëveshjes së Kumanovës për kufirin Kosovë-Mali i Zi”, ka thënë Meha. Nësë tani opozita po e kundërshton atë, dikur po i kanë thënë dy deputetët e LVV.
Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, bashkë me deputeten Albulena Haxhiu kishin votuar pro vijës së njëjtë kufitare të parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, malet e të cilave ndajnë Kosovën me Malin e Zi.
Por, përveç Kurtit dhe Haxhiut, pro këtij projektligji, kishin votuar edhe shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca dhe deputeti Rexhep Selimi, edhe ish-deputeti Liburn Aliu.
Megjithatë, nuk ishin vetëm këta deputetë që në vitin 2012 ishin pajtuar me vijën përkufizuese të Bjeshkëve të Nemuna. Pro këtij projektligji kishin votuar edhe, Jakup Krasniqi nga NISMA për Kosovën, dhe deputeti Nait Hasani, që tashmë kanë dalë kundër.