Pavarësisht punës së përditshme të Task Forcës së Bashkisë së Tiranës për evadimin e mbetjeve dhe lirimin e hapësirave publike, qytetarë të papërgjegjshëm vijojnë të bëhen “zot” të rrugëve, trotuareve apo lulishteve.
Goma të përdorura, arka, bidonë, betona e gurë pa fund, janë mjetet rrethanore që përdorin çdo ditë qytetarë të ndryshëm për të siguruar në mënyrë të paligjshme dhe në kurriz të interesit publik, një vend parkimi apo një hapësirë para dyqanit apo shtëpisë së tyre.
Ndaj skuadrat e Task Forcës, ashtu si çdo ditë, kanë vijuar edhe këtë fundjavë punën e tyre për lirimin e hapësirave publike për qytetarët dhe për t’i rikthyer “frymëmarrjen” rrugëve të Tiranës.
Fotot e më poshtme pasqyrojnë aksionin e Task Forcës në rrugët: “Hajdar Hidri”, “Musa Agolli”, “Learton Vathi” dhe “Panorama”, ku siç shihet mbetjet e përdorura për të zaptuar hapësirat publike nuk ka fund.