Pesë herë fituesi i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo, është zgjuar sot si 33 vjeçar.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, feston ditëlindjen e tij të 33’të. Ditëlindja vjen në një kohë kur portugezi po ka luhatje të formës dhe po kalon sezonin ndoshta më të dobët që kur u transferua te Real Madridi në vitin 2009 nga Manchester Unitedi, shkruan Gazeta Express.
Një lojtar muskulor, i pasur me teknikë dhe klasë, por edhe me një arrogancë, kështu njihet portugezi. Gjatë këtyre viteve ai fitoi trofeun e kampionit të Portugalisë, Ligën Premier, Ligën e Kampionëve, Kupa të shumta, si dhe Kupën e Botës për Klube (4 herë).
Kulmi i karrierës së Ronaldos ishte viti 2016, ku fitoi Kampionatin Evropian me Portugalinë, kurse këtë vit me Real Madridin fitoi pesë trofe; La Duodeciman (titullin e 12’të të Champions League), Superkupën e Evropës, La Ligan, Superkupën e Spanjës dhe Kupën e Botës për Klube, duke thyer edhe rekorde të shumta. Ronaldo është lojtari i vetëm në histori të futbollit që ka fituar gjitha trofetë e mundshme për klube me dy skuadra, por edhe ato individuale, përcjell Gazeta Express.
Ai është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Real Madridin. Portugezi ka shënuar 427 gola në 421 paraqitje, shifra me të vërtetë të frikshme, por që janë mbetur nën hije aktualisht duke parë formën aspak të mirë këtë edicion, vetëm tetë gola në La Liga dhe 20 në 27 paraqitje në të gjitha garat.
Ronaldo ka fituar 15 trofe me Realin: 3 Champions League, 3 Kupa të Botës për Klube, 3 Superkupa të Evropës, 2 La Liga, 2 Copa del Rey dhe 2 Superkupa të Spanjës.
Portugezi e nisi karrierën te Sporting Lisbona ku është paraqitur vetëm një sezon, para se të transferohet te Manchester United.
CR7 e veshi fanellën e Djajve të Kuq për gjashtë sezone, nga viti 2003 deri në atë 2009, duke shënuar 118 gola në 292 paraqitje, 84 prej tyre në Premierligë. 20 gola në 27 paraqitje këtë edicion, nuk janë pak për një futbollistë, por po për një lojtar si Cristiano Ronaldo, që mbi supe mban rekorde të shumta dhe është fitues i 5 Topave të Artë andaj deri në fund të sezonit objektivi i CR7 është përmirësimi i statistikave. Përveç Ronaldos, sot ka ditëlindjen edhe futbollisti më i shtrenjtë në histori të futbollit, Neymar si dhe shqiptari, Adnan Januzaj.
Neymari mbushi 26 vjet, kurse Januzaj 23, që aktualisht aktivizohet te Real Sociedad, por që nuk ka arritur të zë vend në formacionin startues. (b.an)