Juventus ka demonstruar të gjithë potencialin sot kundër Sassulo-s për takimin e javës së 23 në “Seria A”. Bardhezinjtë e Allegri-t kanë fituar 7-0 për të marrë 3 pikët që i ngjisin përkohësisht në krye të kampionatit. Ndeshja nuk pati diskutim për asnjë çast pasi Alex Sandro realizoi duke zhbllokuar që në minutën e 9-t.
Deri në fundin e pjesës së parë Khedira do të realizonte ‘dopietë’ dhe emrin në listën e golashënuesve do ta vendoste edhe Miralem Pjaniç. Në fraksionin e dytë të lojës Gonzalo Higuian i ndihmuar nga dy asist të Marchisio-s arriti të shënonte ‘tripletë’, duke stampuar edhe rezultatin e përgjithshëm me shifrat 7-0.
Milan është ndalur pas 3 fitoresh radhazi në kampionat pasi sot nuk ka shkuar më shumë se një barazim përballë Udinezes. Edhe pse “djalli” mori avantazhin që në minutën e 9-t me një supergol të Susso-s, nuk arriti ta ruante atë.
Falë këmbënguljes së Udineze-s fillimisht Milani u ndëshkua me të kuqe, me Calabria-n që la fushën pas dy të verdhave. Por gabimeve të talentit të ri i shtohet edhe ai i Donnarumma-s i cili devijoi topin në portën e tij në minutën e 76-t, duke bërë që sfida të përfundonte me shifrat 1-1. (Balkanweb)