Po flitet aq shumë këto ditë për Aeroportin e Vlorës po a e dini si do të duket ai. Ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë Damian Gjiknuri publikoi në faqen e tij në rrjetin social Facebook disa nga fotot e projektit ku krijohet qartësisht ideja sesi është menduar aeroporti i Vlorës.
Grupi i fotove shoqërohet edhe me lajmin se është ngritur grupi i punës që do të shqyrtojë ofertën e bërë nga konsorciumi për ndërtimin. “Projekti strategjik për ndërtimin e aeroportit të ri të Vlorës është në rrugë të mbarë. Kemi tashmë kërkesën zyrtare nga konsorciumi i kompanive “Cengiz Construction”, “Kalyon Construction” dhe “Kolin Construction”.
Morëm vendimin për të ngritur grupin e punës që do të shqyrtojë në detaje ofertën me aspektet teknike dhe do të ndjekë hapat e mëtejshme në përputhje me përcaktimet ligjore. Ndërtimi i aeroportit të Vlorës do ti japë një zhvillim jo vetëm zonës bregdetare por edhe ekonomisë kombëtare në tërësi” thuhet në postimin e Gjiknurit.
Lajmi për një ofertë lidhur me aeroportin e Vlorës u bë me dije tre ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama. Pas kësaj Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë informoi se bëhet fjalë për zonën e Akërnisë ku aktualisht është një aeroport i vogël pjesë e një baze ushtarake. Konsorciumi ka marrë përsipër ndërtimin me financimin e tij dhe jo nga buxheti./ma.me/javanews