Festa e nderrimit te viteve i gjeti mijera punonjes policie larg familjes, ne detyre ne sherbim te qytetareve pet te garantuar sigurine e festave. Policia e Shtetit ne nje bilanc sot, në kuadër të garantimit të rendit e sigurisë publike, parandalimit të ngjarjeve kriminale apo ato rrugore, thote se mori një sërë masash shtesë me rastin e festës së ndërrimit të viteve.
Njësia Antieksploziv e RENEA-s, duke përdorur qentë antieksploziv, gjatë orëve të mbasdites së datës 31 Dhjetor 2017 kanë kontrolluar parkingun e nëndheshëm në sheshin ‘Skënderbej’, ku pati festime. Ky shesh më pas është marrë nën kontroll nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe ne bashkëpunim me Policinë private, kanë kontrolluar automjetet që u parkuan deri në orët e para të mëngjesit të datës 1 janar 2018.
Kontrolle të imtësishme nga agjentë të antiterrorit janë kryer në të gjitha sheshet kryesore ku do kryheshin festime me rastin e ndërrimit të viteve.
Gjatë ndërrimit të viteve si rezultat i hedhjes së fishekzjarreve, në të gjithë vendin janë lënduar lehtë 17 persona, të cilët kanë marrë mjekim dhe janë larguar në banesat e tyre, ndërsa 1 shtetas nga Dibra është transportuar për në Tiranë për ndërhyrje më të specializuar pasi ishte dëmtuar në sy.
Është dëmtuar gjithashtu 1 automjet i parkuar, si pasojë e përdorimit të fishekzjarreve.
Në Laç shtetasi K.Gj, 16 vjeç, banues në Sanxhak, është gjetur i vdekur nga familjarët në taracën e banesës së tij me një dëmtim në koke. Trupi i viktimës është dërguar në Tiranë për një ekspertizë mjeko-ligjore më të specializuar për të përcaktuar nga se i është shkaktuar dëmtimi që ka humbur jetën.
Nuk ka patur ngjarje kriminale si grabitje me dhunë ose me armë, apo plagosje e vrasje, si dhe nuk është shënuar asnjë aksident me pasojë vdekjen apo me plagosje të rënda.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 aksidente me pasoja të lehta.
Policia Rrugore në të gjithë vendin ka vijuar gjatë gjithë orëve të para të mëngjesit kontrollin për parandalimin e drejtimit të automjetit nën efektin e akoolit apo në gjendje të dehur, për shpejtësinë tej normave të lejuara si dhe për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, por edhe për shkelje të tjera që janë burim aksidenti.
Në të gjithë vendin janë pezulluar 32 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, nga to 14 patenta vetem ne Tirane.
Nga Policia Rrugore e Tiranës, gjatë orëve të para të mëngjesit është arrestuar 1 drejtues mjeti për drejtim mjeti në gjendje të dehur.