Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Cako, mori pjesë në Forumin e Romës ku ishin të pranishëm të gjithë drejtorët e Policive të Ballkanit Perëndimor dhe Drejtorët e organizatave dhe agjencive që mbështetin policitë evropiane si Europol, Interpol, SELEC, FRONTEX, por edhe nga Bashkimi Evropian.
Takimi ishte një tavolinë e rrumbullakët ku trajtohen çështje aktuale me të cilat përballen policitë e vendeve tona dhe që shqetësojnë sigurinë e publikut të tilla si: terrorizmi, krimi i organizuar dhe migracioni i paligjshëm.
Çako në fjalën e tij u ndal në aspektet e bashkëpunimit me partnerët dhe në rëndësinë që Policia e Shtetit i vë bashkëpunimit ndërkombëtar si zgjidhja e vetme për të patur siguri në vendet tona. “T’i kthejmë kufijtë tanë në barriera të pakalueshme për kriminelët dhe në vija të padukshme për qytetarët tanë”- theksoi ai në fjalën e tij.
Drejtori Çako bëri një prezantim të punës së Policisë së Shtetit duke nxjerrë në pah rezultatet e arritura dhe suksesin e madh në goditjen e kultivimit të kanabisit falë një strategjie dhe plani të veprimit të detajuar të Qeverisë,Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Në prezantimin e tij ai theksoi arritjet e bëra edhe falë bashkëpunimit me policitë partnere dhe veçanërisht policinë italiane. Por sa i takon luftës kundër krimit të organizuar ai përmendi operacionin “Ballkan” si një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit policor dhe gjyqësor që është vlerësuar me çmimin e parë nga SELEC. Në fushën e terrorizmit ai ftoi partnerët të ndjekin shembullin e Shqipërisë, Italisë dhe Kosovës në zhvillimin e takimeve trepalëshe periodike.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë pati disa takime dypalëshe me Prefektin Gabrielli, Shefin e Policisë italiane dhe Drejtorin e Sigurisë Publike të Republikës së Italisë, me Prefektin Nicolo D’Angelo, zv/shefin e Policisë italiane dhe Drejtorin e Policisë Kriminale të Policisë italiane, me Përfaqësuesin e Europol-it, të Frontex-it dhe me Delegacionin e Policisë së Moldavisë.
Një pikë e rëndësishme e takimit me Prefektin Gabrielli ishte nënshkrimi i Memorandumit të bashkëpunimit për rritjen e sigurisë në zonat turistike të të dy vendeve në organizimin e patrullimeve të përbashkëta gjatë sezonit turistik. Ky Memorandum do të sjellë më pranë dy organizatat policore, duke punuar si një skuadër gjatë sezonit turistik në arritjen e objektivave, për të ofruar më shumë siguri dhe shërbime ndaj qytetarëve në të dy vendet.
Në takimin me Prefektin Gabrielli, u vlerësua bashkëpunimi mjaft i mirë, arritjet e shkëlqyera per misionin e fluturimeve dhe puna e madhe e të dy policive tona.
Një falënderim të veçantë mbështetjes së pakufijtë të Policisë italiane, në paraqitjen e punës së madhe të kryer nga Policia e Shtetit në luftën kundër kanabisit dhe krimit të organizuar, në takime të rëndësishme të zhvilluara në Bruksel para disa ditësh.
Nga ana e tij Shefi i Policisë Italiane prefekti Franco Gabrielli, shprehu falënderimet e tij për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe unik me Policinë e Shtetit Shqiptar. Misionet prezente në Shqipëri të cilat asistojnë dhe punojnë krah për krah me Policinë e Shtetit, janë dhe do të vazhdojnë të jenë të angazhuara maksimalisht, edhe në të ardhmen në të gjitha fushat.
Shefi i Policisë Itaiane u shpreh se është krenar për miqësinë dhe bashkëpunimin, dhe se konstaton një punë të shkëlqyer të bërë nga Policia e Shtetit në luftën kundër kriminalitetit.
Ardhja e Ministrit të Brendshëm italian Marco Minniti, më 3 nëntor 2017 në Shqipëri me rastin e konferencës përmbyllëse të misionit të fluturimeve ajrore 2017, ka qenë shenjë dhe një mbështetje të fortë që Italia vazhdon t’i bëjë Shqipërisë.
– Rezultatet e arritura flasin vetë, – tha ai. -Ne duam që të gjithë të kuptojnë se Policia Shqiptare është një partner sa i besueshëm aq edhe i domosdoshëm për të luftuar krimin.
Prefekti Gabrielli tha se do të angazhohet personalisht për konkretizimin e propozimeve të bëra nga Drejtori i Përgjithshëm Çako dhe pranoi me kënaqësi ftesën e bërë për një vizitë në Shqipëri së shpejti.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë u takua edhe me delegacionet e FRONTEX-it, dhe Europol-it ku ai shprehu disponibilitetin e tij dhe të Policisë së Shtetit, për një bashkëpunim të plotë sidomos duke u përqëndruar në nivelin operativ.
Gjithashtu u zhvillua edhe një takim me delegacionin e Policisë së Moldavisë të kërkuar nga ky i fundit, ku u trajtuan çështje të interesit të përbashkët ku dhe pati disa kërkesa të palës moldave në lidhje me përvojën e Policisë së Shteti, në fushën e Policimit në Komunitet dhe në lidhje me praktikën e formimit policor në Shqipëri.
Më herët, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë u takua edhe me Ambasadoren e Shqipërisë në Romë, znj. Anila Bitri. Në këtë takim ata trajtuan problematikat aktuale që hasin shtetasit shqiptarë në shtetin Italian, por edhe çështje që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm dhe minorenët e pashoqëruar. /ma.me