Brenda 6 muajve, Bashkia e Tiranës përfundoi ndërtimin e tre rrugëve të reja në zonën e Shkozës, Rr. “Disha”, Rr. “Thoma Nasi” dhe Rr. “Fransua Pukvil”, të cilat lidhin Njësinë 3 me Njësinë 1, duke ofruar një rrjet tërësisht të ri kanalizimesh dhe standarde më të mira për banorët.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe deputetja e PS, Elona Gjebrea, inspektuan punimet dhe vlerësuan realizimin e këtij projekti për urbanizimin e një prej zonave më informale të kryeqytetit, që i vjen në ndihmë mijëra familjeve të ardhura kryesisht pas viteve ’90. “Ka qenë një prej projekteve më të vështira, për shkak të relievit, çështjeve të legalizimit, hipotekimit, me probleme pronash. Por, më vjen mirë që bashkë me Elonën, me anëtarët e Këshillit, me gjithë kolegët, administratorë të Njësisë 1 dhe 3, bëmë të mundur zhbllokimin e një projekti i cili ka sjellë jetë për zonën”, deklaroi Veliaj.
Krahas ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, në të dy anët e rrugës janë ndërtuar mure dekorativë, si dhe është vendosur sistemi i ndriçimit. Kreu i bashkisë theksoi se punimet e realizuara do të rrisin vlerën e pronës së banorëve. “Jemi munduar të japim një zgjidhje e cila i ul muret e avllive. Më vjen mirë që jo vetëm shtëpitë kanë dalë në dritë, jo vetëm rrugicat e rrugët kanë dalë në dritë, jo vetëm është shkurtuar rruga për të shkuar nga Shkoza në Porcelan, që më parë duhej të zbrisje poshtë në Rr. “Ali Demi”, por mbi të gjitha është rritur vlera e pronës. Një shtëpi që ka duk, më rrugë të shtruara, që ka ndriçim natën, me kanalizime, që nuk përmbytet, është një shtëpi që vlen më shumë nesër, kur vendos ta shesësh, të investosh apo ta vendosësh si hipotekë në bankë”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku Veliaj premtoi se edhe për dy vitet e ardhshme të mandatit, bashkia do të vijojë me të njëjtin ritëm, ku një vëmendje e shtuar do t’i kushtohet zonave në periferi të qytetit. “Do të ecim me këtë ritëm edhe në Njësinë 1, edhe në Njësinë 3. Siç e dini, dy vitet e para fokusi ishte te zonat qendrore të Tiranës dhe dy vitet e tjera në zonat kryesisht periferike dhe rurale, për t’u siguruar që Tirana, edhe brenda një mandati, të ecë me të njëjtën shpejtësi, si në qendër, ashtu edhe në zonat e veta më ekstreme. Po të vazhdojmë me këtë ritëm, nga 50 blloqe çdo vit, në kohë rekord do kemi gjithë Tiranën të urbanizuar”, nënvizoi ai.
Deputetja e PS, Elona Gjebrea falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen që i dha projektit që zgjidh problematikat e mbartura ndër vite, si pasojë e mosvënies dorë. “Kjo është një zonë e cila ka qenë zonë informale, e parregulluar, me shumë vështirësi për banorët për të kryer nevojat e tyre të përditshme, përfshirë edhe aksesin në shkolla e çerdhe. Ashtu sikurse kryetari i Bashkisë premtoi, e bëmë realitet këtë dhe dëshiroj ta falenderoj kryetarin edhe në emër të banorëve për gjithë mbështetjen që dha për të bërë realitet këtë zonë të transformuar tërësisht”, u shpreh Gjebrea./a.ç