Vetëm dy muaj më parë ishte një djerrinë që shërbente si parkim automjetesh, kurse sot është shndërruar në një nga këndet më të bukura të Tiranës, si për fëmijët që luajnë, edhe për të moshuarit që kalojnë kohën. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e ambasadës çeke, përfundoi punën për këndin rekreativ në sheshin “Bajram Curri” në Njësinë 7, që është edhe një nga zonat me dendësi të madhe popullsie, ku mungonin hapësirat çlodhëse për banorët.
Këndi i ri u hap për fëmijët në prani të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorit çek në vendin tonë, Jaroslav Ludva, të cilët shprehën kënaqësinë që ky bashkëpunim u finalizua me sukses brenda një kohe mjaft të shkurtër. “Unë dhe Davidi jemi shumë të kënaqur sot, ky është këndi i 25-të i lodrave. Kemi gjetur disa miq fantastikë tek ambasadori çek dhe ambasada çeke, sepse ishim këtu vetëm para pak javësh dhe kjo hapësirë ishte një pirg i madh me dhera, një hapësirë komplet e degjeneruar; sot është një kënd fantastik”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ai theksoi se realizimi i këtij projekti, ashtu si dhe në çdo investim tjetër i bërë nga Bashkia e Tiranës, ka ngjallur menjëherë interesin e banorëve, ndërsa u shpreh se shtimi i hapësirave rekreative po i jep mundësi të rinjve që të merren më shumë me aktivitete fizike dhe për të bërë një jetë më të shëndetshme. “Kur erdhëm ambasadori po më pyeste se herën e parë këtu nuk kishte fëmijë, po tani nga dolën gjithë këta!? Kjo është mrekullia e ndërtimit urban dhe infrastrukturës e këndeve të lojërave. Sa krijohet një hapësirë, dalin të gjithë fëmijët! Do të thotë që fëmijët, qytetarët, janë aty dhe ka ardhur koha që të kemi më shumë terrene të tilla për të lënë telefonin, kompjuterin, televizorin, për të kaluar më shumë kohë në natyrë dhe në ajër të pastër”, shtoi Veliaj.
Më tej, ai bëri të ditur se projekti i ndërtimit të këndeve rekreative do të vazhdojë në çdo lagje. Për këtë, kryebashkiaku ftoi edhe përfaqësitë e tjera diplomatike që nën shembullin e Ambasadës çeke, të kontribuojnë për ta çuar edhe më tej këtë projekt. “Më vjen mirë që e mbyllëm këtë muaj me këndin e 25 të lojërave, për të vijuar po në këtë zonë edhe me dy-tre të tjerë, edhe me fushat e basketbollit. Jam shumë i lumtur me mënyrën se si një premtim për të bërë një kënd lojërash tek Liqeni, pastaj nga një në çdo njësi, sot i ka tejkaluar pritshmëritë tona dhe do të doja që nën shembullin e ambasadës çeke, edhe të tjerë që duan të na japin një dorë, të ndajmë kostot, gjysmën Bashkia, gjysmën donatori, e të vazhdojmë kështu”, tha Veliaj.
Ndërkohë, ambasadori i Republikës së Çekisë në vendin tonë, Jaroslav Ludva, nënvizoi faktin se projekte të tilla sjellin përmirësim të jetës së komuniteteve të banorëve. “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, i rrethuar nga fëmijët e vegjël, të cilët janë shumë të lumtur me këtë kënd të ri lojërash. Qëllimi i projektit është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve dhe do të doja të thosha që gjëja më e rëndësishme është të gjesh një partner të mirë dhe jam i sigurt se e kemi gjetur tek pushteti vendor, i udhëhequr nga një kryebashkiak i zoti. Jam i sigurt se ky nuk është projekti i fundit. Vitin që vjen do përpiqemi të bëjmë diçka të ngjashme. Për momentin jam shumë i lumtur me atë çka është bërë për qytetarët dhe fëmijët e Tiranës”, tha ambasadori çek.
Investimi për jetëzimin e sheshit “Bajram Curri” ka bërë të mundur rikualifikimin estetik të zonës, përmes shtimit të gjelbërimit, ndriçimit dhe ndërtimit të infrastrukturës çlodhëse për të rritur (stola, hije). Në ndërtimin e këtij sheshi është ndjekur i njëjti standard, materialet e përdorura janë të certifikuara sipas standardeve të BE-së, për të rritur sigurinë e fëmijëve që luajnë dhe për të mos veçuar qendrën nga periferia në ofrimin e shërbimeve. Gjithashtu, një tjetër element i rëndësishëm është ndërtimi i infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur, pasi shërbejnë si vende ku njerëzit komunikojnë, ndërtojnë komunitetin dhe përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien.