Perez dhe Zidane qëndruan së bashku dhe diskutuan për disa minuta në stërvitjen e së premtes të Realit. Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, vizitoi gjatë ditës së premte skuadrën në qendrën stërvitore, Valdebebas.
Ai përcolli nga afër skuadrën ku vazhduan të stërviten me intensitet të lartë, Marcelo, Theo Hernandez dhe Karim Benzema, që duket se tashmë kanë lënë prapa lëndimet.
Zidane dhe Perez qëndruan gjatë gjithë kohës së bashku, kjo ndoshta për shkak të ecurisë jo të mirë në Ligë, pasi Reali ka mbetur shtatë pikë prapa Barcelonës pas shtatë xhirove – të gjitha pikët i ka humbur aty ku pak kush mund ta besojë, në “Santiago Bernabeu”.
Është folur se Reali mund të blejë lojtarë gjatë afatit kalimtar të janarit dhe Perez po i shfrytëzon pushimin e Kombëtareve për të biseduar me trajnerin e Los Blancos që është në telashe për shkak të lëndimeve, sidomos pas problemit të Dani Carvajal, që raportohet se ndoshta mund të mungojë gjatë parë shkak të problemeve me zemër.
Sulmi është pjesa ku më së shumti po çalon në këtë fillim sezoni, ndërsa nuk përjashtohet edhe transferimi i një mbrojtësi të djathtë gjatë janarit.
Álvaro Odriozola i Real Sociedad, që zëvendësoi Carvajalin në Kombëtaren e Spanjës, është objektivi kryesor i Mbretërve për krahun e mbrojtjes, përgatiti ”Gazeta Express”. (b.an)