Tashmë është zyrtare, mesfushori i Kombëtares shqiptare, Eros Grezda transferohet te skuadra kroate, Osijek.
Kualifikimi i këtij ekipi në Ligën e Europës ka vënë në lëvizje drejtuesit për të afruar lojtarë cilësorë dhe njëri prej tyre është Grezda që i jep fund kështu aventurës me Lokomotivën e Zagrebit.
Në këtë mënyrë, 22-vjeçari shqiptar që ka veshur fanellën kuqezi vitin e shkuar, nis një aventurë të re në një ekip me pretendime të mëdha.
Osijek synon kualifikimin në fazën e grupeve të Europa League pasi gjatë këtij sezoni në kampionatin kroat arriti të renditej në vendin e katërt, transmeton Supersport.
Grezda është aktivizuar gjatë dy sezoneve të fundit në radhët e Lokomotivës së Zagrebit ku ka shënuar 14 gola në kampionat në 59 ndeshje të zhvilluara.
Ai rezultoi një nga lojtarët kyç të skuadrës kryqytetase gjatë sezonit të fundit pasi shënoi disa gola vendimtarë.
Aktivizimi i Grezdës në Ligën e Europës është një hap i madh për të por edhe një bonus për Kombëtaren Shqiptare pasi eksperienca e një turneu të tillë mund ta ndihmojë të riun shqiptar të japë një kontribut më të madh edhe për fanellën e ekipit shqiptar. (b.an)