“Bukë e Kripë e zemër të Bardhë”, kjo është shprehja ndoshta më e njohur e ne shqiptarëve që na karakterizon si popull. Ndoshta në shumë gjëra mund të kemi defekte si çdo popull, por për bujari dhe mikpritje gjithmonë jemi shquar. Bazuar në këto tipare të shqiptarëve edhe Stela Hysaj, vajza e re nga Tamara e Shkodrës, ka ngritur një biznes të sajin ku e ka quajtur ’’Bukë e Kripë e Zemër’’. Restoranti ndodhet në Kelmend të Malesisë së Madhe dhe ka filluar punën në janar të këtij viti. Një restorant në mes të maleve, ku peizazhi është magjepsës, Stela ka sjellur kuzhinën tradicionale shqiptare, me një shërbim dhe cilësi të përsosur. Restoranti që Stela menaxhon dhe është pronare e tij, ka si qëllim të sjellë traditën e zonës, e përshtatur me ushqimet përkatëse të çdo stine. Në një intervistë për Shqiptarja.com Stela na tregon gjithë rrugëtimin e saj në ngritjen e këtij biznesi që sot, edhe pse i ‘’fshehur’’ mes maleve, gjendet lehtësisht nga të apasionuarit pas ushqimeve tradicionale.
E veçanta e Stelës qëndron në faktin se ajo është larguar nga Shqipëria drejt Italisë, për të kryer studimet e larta për Gastronomi, por është kthyer më pas në vendin e saj, ku dhe ka investuar për këtë restorant. Ndoshta si shumë shqiptarë që janë larguar drejt vendit fqinj, dhe kanë preferuar të qëndrojnë atje, Stela ka vendosur të bëjë ndryshe. Ajo është rikthyer në vendlindjen e saj, që edhe përmes këtij biznesi t’i japë një tjetër zhvillim kësaj zone. Stela është një vajzë energjike, e sjellshme dhe me dialektin e bukur shkodran, të përcjell një energji pozitive, sapo t’i shkel në restorantin e saj. Me një staf të vogël, por që i menaxhon shumë mirë klientët, Stela na tregon përmes kësaj intervistë sesi ia del të jetë një grua e suksesshme dhe gjen kohë për çdo gjë në jetë.
Me një modesti dhe humor që i karakterizon shkodranët, Stela mirëpret turistë nga Mali i Zi, Austria, Gjermania, por edhe nga vende të tjera të Shqipërisë. Ajo shprehet se asnjëherë nuk ka pasur probleme me klientët që frekuentojnë restorantin e saj, pasi kryefjala e këtij biznesi është cilësia në shërbime dhe në ushqim. Malësorja në fund të kësaj interviste ka dhënë dhe mesazhin e saj për të gjithë ata të rinj që stepen për të investuar në një biznes, nga frika e dështimit. Stela i këshillon të kenë një objektiv të qartë, dhe guximin e duhur për ta realizuar, ëndrrat e tyre.
Stela mund të më tregoni më shumë rreth restorantit tuaj, dhe sesi ju e ngritët këtë biznes?
-Restoranti ndodhet në Kelmend të Malesisë së Madhe. Është një projekt i iniciuar nga Vis Albania në kuadër të projektit 3-vjeçar që përfundon në fund të marsit. Para nje viti u takova në Itali me mikun e familjes dhe njëkohesisht kordinatorin e projektit Pier Paolo Ambrosi i cili më propozoi ta merrja unë restorantin përsiper meqë shoqata donte t’ia besonte dikujt që të mund ta çonte përpara këtë iniciativë. Në janar unë u ktheva nga Italia dhe fillova procedurat për ta kthyer në biznes privat dhe ja ku jam sot.
Tani që ju jeni në krye të biznesit, sa të vështirë e keni menaxhimin e tij? Sa punonjës keni në administrim?
– Realisht është e vështirë, sidomos pjesa financiare meqënëse sapo është filluar si aktivitet. Kam dy gra që punojnë në kuzhinë, por kam punësuar edhe një djalë në sallë meqë pas 2 muajsh pune nuk mund t’ja dilja të isha njëkohësisht edhe në kuzhinë edhe në sallë.
Ju keni kryer studimet e larta në Itali për Gastonomi. Pse vendosët të ktheheni në Shqipëri?
– Me mungon vetëm mbrojtja e diplomës, pasi m’u desh ta shtyja meqë doja të filloja me restorantin sa më shpejt, por sapo t’i vendos gjërat në rrugën e duhur do kthehem në Itali për diplominin. Universiteti ku kam studiuar është një ndër universitetet më të veçanta në botë mund të them. Është eksperienca më e bukur deri tani. Kam marrë shumë njohuri atje, çdo gjë që ka të bejë me ushqimin dhe Kelmendi është zona më e përshtatshme ku mund të bëja diçka që e dua me shpirt. Kam pasur mundësine të vizitoj disa shtete, jo si turiste, por në rolin e krtitikës gastronomike dhe kjo më ka shtyrë më shumë të krijoj një vend të vetëm ku ndërthuren idetë, eksperienca dhe pasioni im për ushqimin, estetikën dhe shijen.
Pavarësisht se është shumë herët sepse biznesi është në fillimet e tij, por a jeni e kënaqur me të ardhurat financiare që iu ka sjellur?
– Si biznes i ri do të paktën 6 muaj për t’u parë sa përfitime financiare sjell, por deri tani arrij të mbuloj qiranë dhe një pjesë të rrogave të punëtoreve.
Familja juaj ju ka mbështetur në këtë iniciativë tuajën?
– Sigurisht familja, por mbështetje tepër të madhe me jep i fejuari që është me profesion infermier. Ai e di përkushtimin tim dhe sa shumë shqetësohem unë sepse çdo ditë dua të krijoj diçka të re në kuzhinë dhe të përmirësoj gjërat që ndoshta nuk janë në nivelin e duhur akoma.
Po për sa i përket çmimeve në restorantin tuaj? Si variojnë?
-Çmimet janë shumë të arsyeshme duke marrë parasysh cilësinë. Varjojnë nga 150 lekë sallatat deri 850 lekë mishi i viçit.
Kryesisht nga janë klientët që vijnë në restorantin tuaj?
-Këto muaj kam pasur klientë nga Mali i zi, Austria, Gjermania, Kosova, Shkodra dhe jugu i Shqipërisë.
Keni hasur ndonjë problem me ndonjë klient tuajin?
– Absolutisht jo. Më pëlqen të komunikoj me klientët dhe t’ju shpjegoj filozofinë e restorantit dhe gatimet në mënyrë që të dinë çfarë do hanë përfshirë këtu origjinën e lëndës së parë, por probleme nuk kam pasur.
Cila është pjata më e pëlqyer në restorantin tuaj?
– Përgjithësisht kaçimaku dhe djathi i zier që janë pjata tradicionale të zonës, por edhe antipasta e shtëpisë pëlqehet nga ata që duan të bëjnë një eksperiencë gastronomike ndryshe.
Restoranti juaj ka hapësirë për të organizuar festa të ndryshme?
– Ambienti brenda është i vogël, por gjatë verës është mundësia të organizohen aktivitete jashtë përfshirë këtu edhe panaire me bazë prodhimet e zonës.
Ju shumicën e kohës besoj e kaloni në restorantin tuaj. Po në kohën e lirë, cilat janë aktivitetet e tua, përveç gatimit?
-Jam 6 ditë në jave tek restoranti, por kam vendosur t’i jap vetes një ditë pushim meqë me të fejuarin kemi një shtëpi në Shkodër. Zakonisht kam “vrejtje” nga miqtë se po kaloj shumë kohë te restoranti prandaj mundohem t’i mbaj kontaktet me të gjithë. Kur mundem shkruaj, lexoj, kaloj kohë me miqtë.
Jam kurioze të di, ju gatuani gjatë gjithë kohës në restorant, po në shtëpi preferoni të gatuani apo e delegoni tek dikush tjetër këtë përgjegjësi?
-Në shtëpi nuk gatuaj shumë. Edhe në restorant merrem më shumë me pjesën e antipastave, salcave dhe pjesës estetike të pjatës.
Thonë se dashuria vjen nga stomaku, sa i kënaqur është i fejuari juaj nga ushqimet që ju përgatisni për të?
– (Qesh) Sikur ta pyesnit do thoshte, “kjo nuk gatuan fare mirë”. Gatimi nuk është profesioni im, por gjithmonë me pëlqen të bëj eksperimente që shpesh here rezultojnë të papëlqyeshme për të fejuarin.
Nëse ky restorant rezulton i suksesshëm edhe me fitime të mëdha, cili do të jetë investimi juaj i radhës?
– Kam disa ide në kokë faktikisht, por njëra do ishte krijimi i një pike shitje për produktet e zonës së Kelmendit, pasi prodhuesit kanë nevojë për inkurajim dhe sigurisht treg për produktet e tyre.
Në fund të kësaj interviste cili do të ishte mesazhi që do i jepje të gjithë të rinjve që ngurojnë të marrin iniciativa të tilla nga frika se mund të dështojnë?
– Mesazhi im është të keni guxim. Unë jam një vajzë nga fshati, jam rritur e ndrojtur dhe jo shumë e shprehur, por eksperiencat e ndryshme më kanë mësuar se duhet kurajo. Kam filluar pa një bazë financiare por kjo nuk ma ka pakësuar entuziazmin. Jini realist me veten dhe nëse nuk keni synime në jetë vendosini vetes një të tillë!/MA.ME