Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ishte në Korçë ku mori pjesë në çeljen e Zyrës së re të Mobilizimit, e cila vjen në vazhdën e hapjes së këtyre zyrave në të gjithë vendin. Në hapjen e kësaj zyre, ministrja Kodheli shoqërohej nga prefekti i qarkut të Korçës Ardit Konomi dhe komandanti i Komandës Mbështetëse kolonel Ardian Bali. Zyrat e Mobilizimit në të gjithë vendin do të administrohen nga rezervistët e Forcave tona të Armatosura, kontributin dhe eksperiencën e të cilëve, ministrja Kodheli e konsideroi si të nevojshëm dhe të pazëvendësueshëm në rastet e emergjencave civile.
“Nocionin e rezervistit, ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë, sepse e shikojmë të nevojshme, sidomos kur flasim për situata aspak normale, siç janë situatat e emergjencave, situatat e kërkim-shpëtimit, apo situata të tjera në të cilat ne duhet të jemi më pranë qytetarëve dhe banorëve. Pavarësisht se kemi qenë prezentë me forcat aktive të armatosura, vetë praktika, realiteti, situatat e jashtëzakonshme na kanë treguar që nevoja për të organizuar trupën rezerviste ka qenë më shumë sesa prezente. Ne kemi akoma njerëz me përvojë, praktika, eksperienca, profesione të cilat janë pothuajse në zhdukje dhe nevoja e të pasurit prezent e personave me përvoja të ndryshme, në profesione të caktuara, por që nuk janë forcë aktive, sjell tek ne, kërkesën për ta pasur këtë përvojë dhe këtë eksperiencë prezente.”- u shpreh Kodheli, e cila foli edhe për rëndësinë që hapja e kësaj zyre ka në veçanti për zonën e Korçës.
“DMR e Drenovës është një pikë shumë e rëndësishme e kësaj zone, por e pamjaftueshme për ta mbuluar të gjithë zonën, ndaj prezenca e më shumë njerëzve, personave të cilat kanë qenë dikur pjesë aktive e FA, e bën prezencën e ushtrisë në territor, më të qenësishme, më të prekshme. Të gjitha këto janë arsyet që e bëjnë të nevojshme dhe të domosdoshme hapjen e kësaj zyre, e cila do të mbulojë gjithë qarkun e Korçës, por jo vetëm.”
Nga ana tjetër, prefekti i Korçës Ardit Konomi çmoi rëndësinë e hapjes së kësaj zyre, e cila siç u shpreh ai, do të jetë një ndihmë e madhe për gjithë këtë qark me problematika të veçanta sa i përket emergjencave civile. Zyra e re e Mobilizimit në qarkun e Korçës është hapur në mjediset e Detashmentit të Mbështetjes Rajonale në Drenovë, dhe do t’i shërbejë si një zyrë informacioni edhe të rinjve që kanë dëshirë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.
ma.me