Javën që lamë pas u bënë 11 vjet nga vdekja e Sllobodan Millosheviçit, dhe varri i tij në Pozharevc është vizituar nga ndjekës të filozofisë së tij, nga qytetarët të thjeshtë e deri tek zyrtarë të lartë shtetërorë serbë. Në mesin e tyre, veç kreut të radikalëve serbë, Vojisllav Sheshel, mjekut të tij Milovan Bojiq, dhe ish-kryeministrit të Serbisë, Nikola Shainoviq, ka qenë edhe ministri për Punë dhe çështje sociale i Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili dikur mbante postin e ministrit pa portofol, i angazhuar në bisedimet mes Kosovës e Serbisë.
Vulin ka thënë se Millosheviqi dy herë është zgjedhur president i Serbisë dhe president i Jugosllavisë dhe se “me jetën dhe vdekjen e tij ka merituar dashuri, simpati dhe kujtim”, raporton “Novosti”.
“Serbinë nuk e kanë sulmuar për shkak të Millosheviqit, por Millosheviqin për shkak të Serbisë. Ne ende pyetemi se si vdiq ai në Tribunalin e Hagës, pasi u rrëmbye”, ka shtuar ai, transmeton Koha.net.
“Politika e tij për Serbinë e lirë, për një Serbi e cila kujdeset për veten, për Kushtetutën e saj, ligjet e saj, Serbi e cila ka luftuar për atë që të jetë në Kosovë e Metohi dhe një Serbi të cilën sot e dëshirojmë. Millosheviqi nuk e ka zhvilluar politikën e përleshjeve me botën, por shumë vende të botës kanë ndjekur politikën e përleshjeve me Serbinë”, ka theksuar Vulin.
Ndaj kësaj vizite të Vulinit tek varri i Millosheviqit ka reaguar shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi.
Përmes një statusi në Facebook, Surroi pyet se sikur një ministër i Qeverisë së Gjermanisë të përkujtonte me hidhërim Adolf Hitlerin siç ka bërë Vulin, çfarë do të mund të ndodhte në raportet mes Gjermanisë në njërën anë dhe Francës, Britanisë e Polonisë në anën tjetër.
“Ministri i Qeverisë së Serbisë A. Vulin te varri i S.Milosheviqit. Ky është ministër i Qeverisë së Serbisë që merr lëvdata për “dialog normalizimi” me Kosovën. Çfarë do të ndodhte më 1963, 18 vjet pas Luftës, nëse një ministër i Qeverisë së Gjermanisë të përkujtonte me pietet Adolf Hitlerin? Çfarë do të ishte “dialogu i normalizimit” me Francën, Britaninë e Madhe a Poloninë?”, ka pyetur Surroi. (b.an)