Pas largimit të murit të Mitrovicës, që ka zgjatur rreth një orë pune të ekskavatorëve të kompanisë nga Zveçani, serbët kanë paralajmëruar një mburojë të re në vend të murit.
Ata synojnë të veprojnë njëjtë sikurse me barrikadën, në vend të të cilës patën vendosur të ashtuquajturin “Park i paqes”, raporton “Zeri.info”.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, ka paralajmëruar se të martën, me shtatë shkurt, do të fillojë ndërtimi i, siç ka thënë, “një strukture betoni mbështetëse dhe të fortë në lartësi prej 70 centimetrash dhe gjerësi prej 120 centimetrash”, që sipas tij, do të “garantojë sigurinë për qytetarët e komunës së Mitrovicës së veriut”.
Ai ka dalë me një deklaratë, e pastaj edhe me një komunikatë për medie, me anë të së cilës ka siguruar serbët se të martën do të fillojë ndërtimi i mburojës së re me konstruksione të betonit, vetëm pak centimetra më brenda ku do të ndërtohet sheshi në rrugën “Mbreti Petër”, transmeton “Zeri.info”.
“Kjo mburojë kësaj radhe do të jetë shumë më e ulët, rreth 70 centimetër, por do të jetë e gjerë 120 centimetër”, ka thënë Rakiç, të dielën, vetëm pak minuta pas rrënimit të murit.
Rakiç ka siguruar se mburoja me konstruksion betoni do të jetë shumë e fortë dhe do të garantojë siguri për qytetarët e Mitrovicës së veriut.
“Mburoja e re me konstruksione betoni ambientalisht dhe estetikisht do të jetë në harmoni të plotë me projektin e ndërtimit të zonës së këmbësorëve në rrugën ‘Mbreti Petër I’, ka sqaruar Rakiq, raporton “Zeri.info”. (b.an)