Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit zyrtarizon kalendarin e Botërorit të “MotoGP” për vitin 2017.E reja në këtë program qëndron në afrimin e datës së Çmimit të Madh të Gjermanisë, nga 16 në 2 korrik, që do të thotë se pushimet e “MotoGP” do të zgjasin mbi 1 muaj, duke evituar kështu një përputhje të datave me Çmimin e Madh të Britanisë në “Formula 1”.
Në total do të jenë 8 gara të “MotoGP”, që do të zhvillohen në të njëjtën ditë me ato të “Formula 1”.Botërori i “MotoGP” do të nisë më 26 mars në Katar.
Në të njëjtën ditë nis edhe kampionati i “Formula 1” me Çmimin e Madh të Australisë.
E njëjta gjë ndodh edhe me garën e dytë, më 9 prill: “MotoGP” do të ketë ndalesë në Argjentinë, ndërsa “Formula 1” në Kinë.
Datat e tjera kur ka një ndërthurje mes garave “MotoGP” e “Formula 1” janë më 11 e 25 qershor, 27 gusht, 22 e 29 tetor, si dhe 12 nëntor. Pikërisht në datën 12 nëntor, botërori i “MotoGP” do të ulë siparin e tij me Çmimin e Madh të Valencias, citohet ”Express”. (b.an)