Presidenti filipinas Rodrigo Duterte ka përshëndetur fushatën brutale në luftën ndaj drogës që vendi i tij ka përjetuar 6 muajt e fundit. Ai ka deklaruar se rreth 6000 persona janë vrarë nga policia dhe civilë të thjeshtë.
Në këtë mënyrë, qeveria filipinase pretendon se po fiton në luftën ndaj drogës dhe se tashmë rrugët janë më të sigurta pavarësisht imazheve horror të kufomave që dergjen në rrugët e vendit.
Mediat vendase shkruajnë se afro 900 000 përdorues droge janë vetëdorëzuar në polici nga frika se mos i vrisnin në mes të rrugës, shumica e të cilëve janë futur në burgje të mbipopulluar.
Presidenti Duerte ka ardhur në pushtet më 30 qershor të vitit që lamë pas. Ai ka deklaruar si ligji i tij për të vrarë edhe pa gjyq përdoruesit dhe trafikantët e drogës që nuk dorëzohen në polici do të vijojë të aplikohet deri në fund të mandatit të tij presidencial.
Edhe pse çdo ditë numri i vrasjeve shtohet, qeveria filipinase e vlerëson drogën jo thjesht si çështje të sigurisë kombëtare, por edhe një “çështje e shëndetësisë publike”.
Ajo ka nisur ndërtimin edhe të shumë qendrave rehabilitimi përreth vendit. Por pavarësisht pretendimeve për fitore të qeverisë filipinase, imazhe të reja nga spitali i kryeqytetit Manila, tregojnë më tepër trupa të pajetë të sjellë nga rrugët, përgatiti Express. (b.an)