Me rastin e festave të fundvitit, Bashkia e Tiranës dhe Alpha Bank Albania shpërndanë 250 pako me ndihma ushqimore për familjet në nevojë në Qendrën Sociale Multidisiplinare. Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se bashkia mbajti premtimin për hapjen e tre mensave sociale, pikërisht për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.
“Një shoqëri e mirë është një shoqëri e cila gjen dashamirësi, solidaritet për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Përgjegjësinë kryesore e ka bashkia, por besoj se edhe aktorë të tjerë të rëndësishëm në shoqëri, si bankat, kompanitë, bizneset, të gjithë mund të japin një dorë, sidomos në kohë të tilla siç është koha e festave”, tha ai, duke falenderuar Alpha Bank.
Veliaj deklaroi se me hapjen e mesave sociale, Bashkia e Tiranës ka krijuar një mundësi më shumë për njerëzit në nevojë.
“E mbajtëm një premtim këtë vit, hapëm tre menca sociale. E para në Laprakë, e dyta në Kombinat, dhe e treta në Shkozë, për t’u siguruar që asnjë qytetar i Tiranës, sado nevojtar të jetë, të mos e ngrysë ditën pa një vakt të ngrohtë. Kjo është diçka që e premtova para një viti, e kemi mbajtur fjalën për një vit, por besoj që s’na pengon asgjë që ta shtojmë këtë lloj dashamirësie e këtë lloj solidariteti përtej këtyre tre mensave”, tha kreu i bashkisë.
Veliaj theksoi se ndonëse kjo mund të duket një ndihmë e vogël, Bashkia e Tiranës është e vendosur për të parë të gjitha mundësitë për të zgjeruar ndihmën.
Por, pavarësisht vështirësive, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje familjeve që t’i kushtojnë vëmendje arsimimit të fëmijëve.
“Është shumë e rëndësishme që ata të vazhdojnë shkollën, të shkojnë në kopësht. Po bëjmë çmos që edhe në kopësht, në çerdhe, në shkolla të kemi ndihma për fëmijët sepse besoj se kjo është një zgjidhje afatshkurtër, por arsmimi i tyre, është bileta për të dalë nga varfëria”, tha ai.
Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania, Periklis Drougkas u shpreh se:
“Festat e fundvitit janë një periudhë e veçantë të cilat na sjellin më afër familjes dhe miqve tanë; është një periudhë ku ne duhet të jemi mirënjohës për çfarë kemi dhe të ndihmojmë ata që kanë më pak se ne. Bamirësia është një veprim altruist që i pasuron shpirtërisht pa fund ata që dhurojnë, dhe jam i lumtur që ndjenja e bamirësisë është pjesë e kulturës korporative të Alpha Bank, ndaj në këto 17 vite prezencë në Shqipëri ne kemi kontribuar me projekte shumë të rëndësishme të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së komunitetit ku ne jetojmë”./java/a.k