Intervistë me një nga aktivistët dhe militantët më të njohur të diasporës shqiptare por edhe të ndihmës së Kosovës gjatë kohës së Luftës. Si e pa ai takimin e Diasporës në Tiranë, pse pati bojkote nga disa seksione dhe pse nuk mendon se ky samit ishte një fillim i mirë…
Intervistoi Ben Andoni
Për profesorin shqiptar Shinasi Rama, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga militantët e njohur të çështjeve shqiptare, Samiti i Tiranës për diasporën duhet të konsiderohet si një dështim i madh por edhe i pritur. Me një gjuhë të ashpër ai fshikullon politikën zyrtare të Tiranës, por më shumë se kaq predispozitën e saj të munguar për një aktivitet cilësor.
Për z. Shinasi Rama aktiviteti ishte thjesht propagandistik, apo elektoral/ekonomik dhe arsyetimi është shumë i thjeshtë: nuk krijoi asnjë organizim apo strukturë. Po si e arsyeton këtë, në intervistën për Javanews? Për të, Paria e Tiranës (një togfjalësh që e përdor shpesh) beson vetëm në paranë dhe jo në kombin apo në shtetin e kombit. “Mos harro se këta njerëz janë shkaku pse emigrantët kanë ikur dhe pse kemi një diasporë më të madhe numerikisht se shteti shqiptar. Sepse këta janë të ndyrë deri në fund të shpirtit dhe janë të mbërthyer në pisllëkun e krimit që kanë kryer me ndërgjegje, pjesë e të cilit janë dhe prandaj nuk duan zgjidhjen që duhet”.
Në fakt, për aktivistin e njohur të çështjes shqiptare mllefi lidhet edhe me faktin që shumë nga të ardhurit prej diasporës në Shqipëri thjesht janë mjaftuar të futen në ombrellën e politikës, por kurrsesi për të dhënë ndihmën e nevojshme atje ku duhet në terren dhe në strukturat e dobëta të ekzistencës së shtetit shqiptar…
A mendoni se Samiti i Diasporës në Tiranë e arriti qëllimin e tij, që lidhej me bashkimin e saj në Tiranë…
“Jo. Ishte një aktivitet thjesht elektoral/ekonomik. Edhe si i tillë nuk ishte serioz, sepse nuk kishte synim Diasporën shqiptare, çka shihet ne faktin se takimi nuk krijoi asnjë organizim apo strukturë. Ky takim shumë i papjekur u zhvillua thjesht si një pjesë e diplomacisë publike nga Ministria e Jashtme, u bojkotua masivisht si nga diaspora ashtu edhe nga forcat e tjera politike, nuk çoi në krijimin e strukturave efikase, nuk ndihmoi në krijimin e lidhjeve dhe në fakt tregoi greminën e thellë që ndan Diasporën shqiptare me shtetin shqiptar”.
Pse Tirana zyrtare e ka të vështirë të jetë e hapur dhe transparente me Diasporën, në mendimin tuaj?
“Sepse paria e Tiranës beson vetëm në paranë dhe jo në kombin apo në shtetin e kombit. Mos harro se këta njerëz janë shkaku pse emigrantët kanë ikur dhe pse kemi një diasporë më të madhe numerikisht se shteti shqiptar. Sepse këta janë të ndyrë deri në fund të shpirtit dhe janë të mbërthyer në pisllëkun e krimit që kanë kryer me ndërgjegje, pjesë e të cilit janë dhe prandaj nuk duan zgjidhjen që duhet.
Po ashtu e dinë se me fuqinë e vet ekonomike, intelektuale, kombëtare dhe me dijet e thella se si funksionon një shtet normal, Diaspora dhe emigracioni shqiptar e konsideron shtetin shqiptar të tranzicionit si një krijesë të dështuar dhe ata vetë si të paaftë, meskinë, kriminelë dhe llumin e botës”.
A beson se do të përmbushet premtimi i Tiranës zyrtare për votën e Diasporës dhe lehtësi të tjera…
“Jo jo. Asgjë nuk ka me ndodhë. Paria e Tiranës e ka shumë frikë diasporën dhe fuqinë e saj. Ajo sundon vetëm duke mbajtur një kontroll të hekurt mbi çdo aspekt të sistemit kriminal që ka ndërtuar në Shqipëri. Prandaj ajo nuk don që Diaspora shqiptare, dhe në të ka shumë që kanë ikur sepse nuk janë pajtuar me sundimin e saj, të bëhet pjesë e lojës politike. Parisë i duhen palaço si ca që kthehen nga Franca e Italia e bëhen deputetë e jo profesionistë e shtetarë që e njohin shtetin dhe mund të bëjnë më të mirën.
Sepse Tirana është një qytet ku krimbat e gjirizit e rikrijojnë gjirizin vetë sepse ashtu ndihen më mirë por edhe sepse tashmë nuk dinë ndryshe. Për ta mbijetesa është në atë gjiriz dhe aty do të duan të mbesin deri në fundin e tyre që nuk duhet me kenë edhe fundi i shqiptarëve”. (Javanews)