Festivali i Filmit në Kanë ka mbyllur siparin, por cilët janë filmat më të vlerësuar të këtij viti që mund të përfundojnë me nominime për Oscar?
Nëse doni të kuptoni se cilët filma do të nominohen për Oscar, mjafton të shihni çfarë ka qenë premierë në Festivalin e Kanës në 2025.
Vitin e kaluar, lista e Kanës përfshinte “Sentimental Value” dhe “The Secret Agent”.
Në 2024 ishin “The Substance”, “Emilia Pérez” dhe “Anora”.
Tani që një tjetër edicion i Kanës ka përfunduar, mund të konsiderohet se ka nisur sezoni i çmimeve. Ja filmat që kanë më shumë gjasa të bëhen pretendentë për Oscar.
- “Fjord”

“Fjord” fitoi çmimin kryesor të Kanës, Palmën e Artë, pavarësisht kritikave të përziera. Megjithatë, drama magjepsëse e regjisorit Cristian Mungiu trajton një nga temat më të nxehta të momentit.
Sebastian Stan dhe Renate Reinsve luajnë rolin e një çifti ungjillor që zhvendoset nga Rumania në Norvegji dhe akuzohet për abuzim ndaj fëmijëve, pasi përdorin goditjet si formë disipline. Filmi shndërrohet në një debat mes krishterimit dhe sekularizmit, traditës konservatore dhe liberalizmit progresiv. Një temë që me siguri do të ndezë diskutime edhe mes votuesve të Akademisë.
- “Club Kid”

Edhe pse këtë vit kishte pak filma amerikanë në Kanë, “Club Kid” ishte një nga surprizat më të mëdha të festivalit.
I shkruar dhe drejtuar nga vetë protagonisti Jordan Firstman (“I Love LA”), filmi tregon historinë e një djali të çmendur pas festave, jeta e të cilit ndryshon kur zbulon se ka një djalë 10-vjeçar, të cilin nuk e kishte ditur kurrë se e kishte.
Filmi është cilësuar si “përgjigjja e këtij viti ndaj Anora”, jo vetëm sepse ka të njëjtin producent, Alex Coco, por edhe për humorin e guximshëm, energjinë e Nju Jorkut dhe zemrën emocionale që e shoqëron. Mund të mos fitojë Oscar për filmin më të mirë, por ka gjasa të jetë në garë.
- “La Bola Negra / The Black Ball”

Me përmasat epike, detajet luksoze të periudhës historike dhe emocionin e fortë, kjo sagë spanjolle plotëson shumë nga kriteret e zakonshme të Oscarit.
E drejtuar nga Javier Calvi dhe Javier Ambrossi, filmi ndjek tre histori të ndryshme, dy në vitet 1930 dhe një në vitin 2017, duke eksploruar sesi marrëdhëniet homoseksuale janë fshirë nga historia spanjolle.
Skenat e luftës kujtojnë filma si “The English Patient” dhe “Captain Corelli’s Mandolin”, ndërsa paraqitjet e Penélope Cruz dhe Glenn Close pritet të tërheqin vëmendjen e Hollywood-it.
- “Soudain / All of a Sudden”

Regjisori Ryusuke Hamaguchi, i njohur për “Drive My Car”, i cili fitoi Oscarin për filmin më të mirë ndërkombëtar në vitin 2022, rikthehet me një tjetër dramë prekëse.
Pjesa më e madhe e filmit zhvillohet në Paris, ku Virginia Efira luan drejtoreshën e përkushtuar të një azili pleqsh, e cila takon një dramaturg japonez me kancer terminal, të interpretuar nga Tao Okamoto.
“All of a Sudden” zgjat më shumë se tre orë dhe përfshin edhe një leksion të gjatë mbi efektet demografike të kapitalizmit, çka e bën një film sfidues. Por ata që do ta ndjekin deri në fund, sipas kritikëve, do të mbeten të përlotur.
- “The Man I Love”

Që pas fitimit të Oscarit për “Bohemian Rhapsody” në vitin 2019, Rami Malek nuk ka pasur shumë role që tërheqin vëmendjen e votuesve të çmimeve. Por “The Man I Love” konsiderohet një rikthim i fuqishëm.
Malek interpreton Jimmy George, një këngëtar homoseksual me AIDS në Nju Jorkun e fundviteve ’80, pjesë e një grupi artistësh që vendosin në skenë një shfaqje off-Broadway.
Drama indie e Ira Sachs premton emocione të forta, ndërsa partneri dhe motra e personazhit kryesor kuptojnë se kjo mund të jetë hera e fundit që ai ndodhet në qendër të vëmendjes.
- “Notre Salut / A Man of His Time”

Drama e Emmanuel Marre është një biografi e gjyshit të tij të madh, Henri Marre.
Pas pushtimit të Francës nga forcat gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, Henri arrin të sigurojë një post burokratik në regjimin e Vichy-t të Marshall Pétain. Ai e sheh veten si patriot që mund të rindërtojë Francën përmes ideve moderne të menaxhimit, ndërsa bashkëpunimi me nazistët dhe deportimi i hebrenjve nuk duket se e shqetëson.
Filmi sjell një reflektim të fortë mbi mënyrën sesi diktaturat mbështeten nga njerëz të zakonshëm.
- “El ser querido / The Beloved”

Akademia ka gjithmonë dobësi për filmat që flasin për vetë industrinë e filmit, dhe “The Beloved” konsiderohet një nga shembujt më të mirë të këtij zhanri.
Javier Bardem luan një regjisor prestigjioz që zgjedh vajzën e tij për rolin kryesor në filmin historik “Desert”. Fillimisht mirënjohëse për mundësinë, ajo zbulon shpejt se babai i saj është po aq i ashpër me të sa edhe me pjesën tjetër të kastit.
Kritikët e konsiderojnë interpretimin e Bardem një nga më të mirët e karrierës së tij.
- “Moulin”

László Nemes, fitues i Oscarit për “Son of Saul”, rikthehet me një tjetër histori të errët nga Lufta e Dytë Botërore.
Filmi bazohet në historinë e vërtetë të Jean Moulin, lider i Rezistencës Franceze, i cili arrestohet dhe merret në pyetje nga oficeri famëkeq i Gestapos, Klaus Barbie.
Me dy interpretime të fuqishme në qendër, “Moulin” është një thriller spiunazhi me atmosferë noir, një studim mbi të keqen absolute dhe një homazh për heroizmin.
- “Minotaur”

Dy filma të mëparshëm të Andrey Zvyagintsev janë nominuar për Oscar, por asnjëri nuk është konsideruar aq tërheqës dhe i qasshëm sa “Minotaur”.
Filmi është një ribërje e “The Unfaithful Wife” të Claude Chabrol dhe ndjek historinë e një biznesmeni rus që zbulon tradhtinë e bashkëshortes së tij.
Në sipërfaqe është një thriller kriminal hitchcockian, por regjisori shton edhe një dimension politik duke e zhvendosur historinë në Rusinë moderne, ku protagonisti është një oligark që jeton në luks, ndërsa punonjësit e tij dërgohen të luftojnë në Ukrainë.











