Reperi amerikan Kanye West ka elektrizuar ‘Eagle Stadium’ me një performancë spektakolare për mijëra fansa nga Shqipëria dhe të tjerë të ardhur nga rreth 80 vende të botës.
Qindra fansa të këngëtarit të njohur u mblodhën që prej orës 17:00 në stadiumin e ngritur posaçërisht në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës.
Report Tv intervistoi disa nga personat e shumtë që kanë ardhur nga jashtë vendit, për të ndjekur në Shqipëri koncertin. Disa thonë se janë nga Greqia, Suedia, Polonia dhe shprehen se janë fansa të reperit amerikan.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri për koncertin, ata tregojnë kanë vizituar edhe qytete të tjera përveç Tiranës. Disa të huaj, për herë të parë në Shqipëri, thanë se i pëlqeu Tiranë dhe se nuk do të jetë hera e fundit që e vizitojnë.
“Ne jemi të dy nga Greqia dhe kemi ardhur nga Athina. Kemi katër ditë që jemi këtu. Kemi vizituar Durrësin dhe Tiranën. Shoh se ky është një qytet që po rindërtohet, është në zhvillim. Mendoj se është një kryeqytet shumë i bukur. Nuk e prisja që do të më pëlqente kaq shumë. Nuk do të jetë hera e fundit që vij këtu. Me siguri do të rikthehem sërish. E dëgjoj Kanye-n që kur isha i ri, kështu që të jem këtu është si një ëndërr e madhe për mua. Jam plotësisht gati”, tha i riu.
“Kemi ardhur nga Tepelena për koncertin, por jetojmë në Irlandë. Më pëlqen Kanye West, presim një atmosferë të mirë nga koncerti”, tha një vajzë.
“Lexova për koncertin, ndaj vendosa ta shfrytëzoj mundësinë dhe arrita të siguroj disa bileta. Kështu që ja ku jam. Pres shumë gjëra, sepse ai është një nga muzikantët më të mëdhenj të të gjitha kohërave”, tha një turist nga Suedia.
“Jemi nga Polonia dhe kjo është hera jonë e parë në Shqipëri. Po, kemi ardhur për të parë Kanye West. Kemi dy ditë që jemi këtu, por do të qëndrojmë gjithsej pesë ditë. Pres të krijoj një kujtim që do të më mbetet për gjithë jetën”, tha turisti.
“Jemi nga Greqia, Shqipëria është mahnitëse. E duam Shqipërinë”, tha një grup të rinjsh.
***
Kryeministri Edi Rama, ka ndarë pamje nga koncerti që po mbahet në Tiranë nga Kanye West.
Me një skenë sferike, që krijon iluzionin e Tokës, Ye performon live në kryeqytet, duke mbledhur kështu dhe turistë nga shtete të tjera.
Më herëy, artisti u prit në Tiranë nga kreu i qeverisë, Edi Rama.
Kujtojmë se qendrat dhe rrugët e kryeqytetit janë mbushur këtë të shtunë me të rinjtë e huaj që kanë ardhur për këngëtarin e tyre të preferuar. Për shumë prej tyre është hera e parë që ndjekin një koncert të një prej artistëve më të njohur të muzikës moderne.










