Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me rastin e 8 Marsit, Festës Ndërkombëtare të Gruas, u shërbeu drekën të gjitha grave në nevojë, të cilat janë frekuentuese të mensës sociale në Laprakë.
Në urimin e tij për të gjitha gratë, Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës do të rrisë vëmendjen e saj për gratë dhe njerëzit në nevojë, por shumë shpejt do të hapen edhe mensa të tjera sociale në zona të ndryshme të kryeqytetit.
“Jam shumë i lumtur që këtë vit kemi bërë disa gjëra të mira bashkë: kemi ndërtuar këtë mensë sociale, kemi ndërtuar një tjetër në Kombinat, po ashtu edhe një në Shkozë. Shumë grupime të tjera na janë bashkuar dhe ata po përfundojnë mensa të tjera sociale, ndaj unë besoj se kemi hedhur themelet e një qyteti solidar”, theksoi Veliaj.
Më tej, Veliaj shtoi se “E di se Shqipëria ka shumë halle, vështirësi, Tirana ka shumë problematika, ka nevojë për infrastrukturë, për investime, për shkolla, kopshte e çerdhe. Në gjithë këto punë, është shumë e rëndësishme që të mos humbasim njerëzillëkun e të mos humbasim ndjenjat që kemi për njëri – tjetrin dhe ndihmën që duhet të ofrojmë për secilin”. /b.d