Emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian në vitin e kaluar ka rënë ndjeshëm. Këtë fakt e bën të ditur raporti vitit 2018 i Komisionit Europian për Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian lidhur me mekanizmin e pezullimit të vizave. Raporti është publikuar nga Komisioni Europian më 19 dhjetor të vitit 2018.
Në këtë raport nëpërmjet shifrave del se shtetasit shqiptarë në vitin 2018 kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian 32% më pak se një vit më parë. “Sa u përket kërkesave për azil, këto u ulën me 32% në gjysmën e parë të vitit 2018 krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2017 (nga 12,635 në 8,525)”, thuhet në raport.
Po kështu kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme në vendet e BE 27% më pak. Gjithashtu shteti shqiptar ka respektuar 100% ripranimin dhe kthimin e shtetasve shqiptarë nga vendet e BE-së. Problematike mbetet ende qendrimi ilegal I shtetasve shqiptarë në vendet e BE-së, pasi është rritur me 11% në krahasim me një vit më parë.
Për sa I përket problemeve të rendit dhe sigurisë publike nga shtetasit shqiptarë në BE, raporti pasi shpreh shqetësimin për veprimtarinë të disa grupeve të përbërë nga shqiptarë thekson se: “Shqipëria ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të përmirësuar efektivitetin e përpjekjeve të saj të zbatimit të ligjit për të luftuar krimin e rëndë dhe të organizuar”, duke përmendur më pas edhe një sërë marrëveshjes që ka nënshkruar në vitin 2018 shteti shqiptar me organizatat ligjzbatuese të BE për të luftuar krimin.
Para pak ditësh parlamenti i Holandës votoi për rivendosjen e vizave ndaj shtetasve shqiptarë. Pas këtij votimi Holanda i kërkon zyrtarisht Komisionit Evropian që të rikthejë regjimin e vizave për Shqipërinë. Vendimi merret nga Komisioni Evropian, por mesa duket nga raporti I fundit që ky komision ka bërë për mekanizmin e pezullimit të vizave, shtetasit shqiptarë në krahasim me vitet e kaluara nuk kanë shtuar problematikat e shkeljeve të kufirit apo të kërkesave për azil, por përkundrazi këto kanë ardhur në ulje.
Shqipëria / Migracioni i parregullt, duke përfshirë ripranimin
Përsa u përket sfidave të migracionit të parregullt, midis 2016 dhe 2017, numri i përgjithshëm i refuzimeve të hyrjes është rritur 13% (nga 30.305 në 34.310). Numri i qëndrimeve të paligjshme është rritur gjithashtu me rreth 11% (nga 33,445 qëndrime të paligjshme në vitin 2016 në 37,325 në vitin 2017). Sipas të dhënave të Agjencisë së Ruajtjes së Kufirit dhe Vijës Bregdetare, tendencat për sfidat e migracionit të parregullta, ndërmjet gjysmës së parë të 2017 dhe gjysmës së parë të 2018, tregojnë një rënie në numrin e refuzimeve të hyrjes dhe qëndrimeve të paligjshme. Sa u përket kërkesave për azil, këto u ulën me 32% në gjysmën e parë të vitit 2018 krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2017 (nga 12,635 në 8,525). Norma e pranimit të azilit më 2017 është 5.19% (në rritje krahasuar me 2016 kur ishte 2.12%) Ripranimi dhe kthimi po funksionon mirë, Shqipëria respekton me shpejtësi kërkesat e ripranimit nga Shtetet Anëtare si për shtetasit e vet dhe të shteteve të treta. Norma e kthimit (mbi 100% në vitin 2017), tregon se shtetasit shqiptarë të urdhëruar të largohen kthehen në mënyrë efektive (29,850 në vitin 2017). Ky rezultat i mirë duhet të ruhet. Shqipëria ka ndërmarrë veprime të identifikuara në Raportin e Parë nën Mekanizmin e Pezullimit të Vizave për të adresuar sfidat e migracionit të parregullt, veçanërisht për kërkesat e pabazuara të azilit të paraqitura nga shtetasit shqiptarë.
Shqipëria ka arritur rezultate të mira në zbatimin e planit të veprimit kundër migracionit të parregullt, i cili fokusohet në bashkëpunimin operacional në menaxhimin e migracionit të parregullt, identifikimin dhe mbrojtjen e të miturve të pashoqëruar dhe luftën kundër falsifikimit të dokumenteve. Gjithashtu, ajo vazhdoi të rriste bashkëpunimin operacional me shtetet anëtare më të prekur nga migracioni i parregullt. Me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për të drejtat dhe detyrimet e regjimit pa viza, autoritetet shqiptare kanë bërë fushata ndërgjegjësimi të cilat u transmetuan në të gjitha stacionet televizive kombëtare.
Rendi dhe siguria publike
Grupet e krimit të organizuar që flasin shqip janë zakonisht poli-kriminale dhe vazhdojnë të jenë veçanërisht aktive në një gamë të gjerë veprimtarish kriminale në BE. Këto grupe të krimit të organizuar trafikojnë heroinë në sasi të mëdha duke bashkëpunuar me grupet e krimit të organizuar turk dhe shqiptar përgjatë rrugëve të trafikimit. Disa vende kyçe në Shqipëri kanë qenë një burim radikalizimi dhe rekrutimi, por ka pasur një rënie në nisjen e luftëtarëve të huaj terroristë të rekrutuar në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak. Shqipëria ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të përmirësuar efektivitetin e përpjekjeve të saj të zbatimit të ligjit për të luftuar krimin e rëndë dhe të organizuar, siç është përshkruar në veprimet që duhen ndërmarrë në Raportin e Parë lidhur me Mekanizmin e Pezullimit të Vizave.
Plani i veprimit kundër kanabisit u miratua në fund të majit 2018. Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Qendrës Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga u inicua më 5 tetor 2018. Kjo marrëveshje do t’u mundësojë një ekspertizë vendimtare autoriteteve shqiptare në luftën kundër drogës. Shqipëria ka një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Evropiane për Trajnimin për Zbatimin e Ligjit dhe merr pjesë në Programin e Drejtësisë të BE-së që nga shkurti i vitit 2018. Më 1 nëntor 2018, Parlamenti Shqiptar ratifikoi Marrëveshjen e Kontaktit me Europol duke lejuar një zyrtar ndërlidhës të Europol-it që të vendoset në Shqipëri në fillim të vitit 2019. Një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Eurojust dhe Shqipërisë u nënshkrua në tetor 2018. Ndërsa një ligj i ri për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i miratuar në vitin 2017, përforcoi kornizën e përgjithshme lligjore, Shqipëria u vendos nën një hetim më të rreptë nga Moneyval. Në shtator 2018, Qeveria miratoi një Plan Veprimi për të adresuar rekomandimet e Moneyval. Në përgjithësi, standardet për liberalizimin e vizave vazhdojnë të përmbushen. Ndonëse është arritur përparim i mirë në zbatimin e veprimeve për të trajtuar sfidat e migracionit të parregullt, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar përmirësimin dhe qëndrueshmërinë e rezultateve. Duhet të adresohen fushat në vijim:
Të forcohen më tej kontrollet kufitare, në respekt të plotë të të drejtave themelore,
Vazhdimi i organizimit të fushatave informuese mbi të drejtat dhe detyrimet e udhëtimit pa viza;
Përmirësimi i mëtejshëm i efektivitetit të përpjekjeve të zbulimit dhe zbatimit të ligjit për luftimin e krimit të organizuar;
Zbatimi me shpejtësi i rekomandimeve të raportit Moneyval mbi financimin e pastrimit të parave / financimin e kundër terrorizmit.
Kalimi i paligjshëm i kufirit
Sa u përket sfidave të migracionit të parregullt, sipas të dhënave të EBCGA, numri i zbulimeve të kalimeve ilegale të kufirit të shtetasve shqiptarë është më i larti ndër vendet e tjera të analizuara në këtë raport. Megjithatë, deri në vitin 2018 deri më tani (gjysma e parë) janë zbuluar 2.905 njerëz në krahasim me 3.984 zbulime në të njëjtën periudhë të vitit 2017 (gjysma e parë), që përbën një rënie prej 27%.
Refuzimi i hyrjes në kufijtë e jashtëm
Ndërmjet 2016 dhe 2017 refuzimi i hyrjes u rrit lehtë me 13% (nga 30.305 në 2016 në 34.310 refuzime në 2017) krahasuar me rritjen e lartë të regjistruar midis 2015 dhe 2016 (rreth 90%). Në mënyrë të ngjashme me vitin 2016, shteti anëtar i BE-së më i prekur mbeti Greqia, e ndjekur nga Italia.
Qëndrimi i paligjshëm
Në vitin 2017 numri i shtetasve shqiptarë të zbuluar me qendrim ilegal është rritur (11%) në 37,325, krahasuar me 33,445 qëndrime të paligjshme në vitin 2016, kur numri kishte shënuar një rënie prej rreth 30% krahasuar me vitin 2015. Greqia dhe Gjermania mbeti vendet më të prekura edhe në vitin 2017.
Kërkesat për azil
Numri i aplikimeve për azil ka vazhduar të ulet në vitin 2017, me 24,070 aplikime të paraqitura në 2017 krahasuar me 30,840 në vitin 2016, duke shënuar një rënie prej rreth 22% (nga viti 2015 deri në vitin 2016 numri tashmë ishte ulur me 54%). Duhet të theksohet se në periudhën 2014-2016 Gjermania ishte shteti më i prekur i BE-së, i ndjekur nga Franca; ndërkohë që në vitin 2017 ky trend u ndryshua me Francën, si shteti anëtar i BE-së me numrin më të madh të kërkesave për azil të parashtruara nga shqiptarët, pasuar nga Gjermania. Norma e njohjes së azilit u rrit në 5.19% në vitin 2017 (krahasuar me 2.12% në vitin 2016).Sa u përket kërkesave mujore të azilit, në gjysmën e parë të vitit 2018, numri i kërkesave për azil zvogëlohet me rreth 32% (8,525) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 (12,635). Në vitet 2017-2018, Franca ka qenë shteti anëtar që ka marrë shumicën e kërkesave për azil, e ndjekur nga Greqia, e cila në gjysmën e parë të vitit 2018 arriti Gjermaninë si shteti i dytë më i prekur.
Ripranimi dhe kthimi
Shtetet Anëtare përgëzojnë zbatimin e mirë të marrëveshjes së ripranimit BE-Shqipëri dhe protokolleve zbatuese të saj. Ripranimi po funksionon mirë, Shqipëria respekton me shpejtësi kërkesat e ripranimit nga Shtetet Anëtare të BE-së si për shtetasit e vet dhe të shteteve të treta. Numri i aplikimeve për azil është zvogëluar gjatë viteve, gjë që është një shenjë pozitive, sidomos pas kulmit të kërkesave të azilit nga shtetasit shqiptarë në BE të vitit 2015 dhe duke marrë parasysh normën e ulët të pranimit të azilit. Numri i vendimeve të kthimit ka rënë nga 38,960 në vitin 2015 në 27,515 në vitin 2017. Ndërkohë, norma e kthimit qëndroi mbi 100% në vitin 2017, gjë që tregon se shtetasit shqiptarë të urdhëruar të largohen janë kthyer realisht nga shtetet anëtare (Greqia ka më shumë se 9,000 vendime të kthimit në 2017, pasuar nga Franca, Gjermania, Italia, Belgjika, Holanda dhe Suedia).
Protokolle zbatimi ekzistojnë me Austrinë, Beneluksin, Bullgarinë, Republikën Çeke, Francën, Italinë, Hungarinë, Maltën, Portugalinë dhe Sllovakinë. Një Protokoll Zbatimi me Spanjën është nënshkruar në korrik 2018 dhe është ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar. Sapo të ketë kaluar procedurën e ratifikimit spanjoll, ajo do t’i njoftohet Komitetit të Përbashkët të Ripranimit për hyrjen në fuqi të tij. Negocimi i një Protokolli Zbatues me Greqinë është ndërmarrë kohë më parë me kërkesën e Shqipërisë. Shqipëria dhe Greqia janë gati të nënshkruajnë një marrëveshje për të hapur një Qendër të Përbashkët për Policinë dhe Doganat në pikën më të madhe të kalimit kufitar jugor. Marrëveshje dypalëshe të ripranimit janë në fuqi midis Shqipërisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, Kroacisë, Danimarkës, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Islandës, Norvegjisë, Moldavisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Negociatat kanë filluar me Rusinë në vitin 2015 dhe janë në vazhdim. Pas rekomandimeve të Raportit të Parë të vitit të kaluar lidhur me Mekanizmin e Pezullimit të Vizave, negociata janë propozuar për Marokun, Afganistanin, Irakun dhe Iranin.
Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka nënshkruar një Marrëveshje për Statusin e EBCG me BE më 5 tetor 2018. Marrëveshja e Statusit shton një shtresë të re mbrojtjeje për kontrollin e flukseve migruese të përziera përgjatë rrugës së migrimit të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka gjithashtu një marrëveshje bashkëpunimi me EBCGA për të forcuar bashkëpunimin operacional. Shqipëria ka vazhduar të forcojë bashkëpunimin e saj operacional me Shtetet Anëtare të BE-së më të prekura nga migracioni i parregullt nga Shqipëria, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit me Shtetet Anëtare për ndalimet e hyrjes në zonën Shengen. Autoritetet shqiptare kanë punuar shumë ngushtë me shumicën e shteteve anëtare të BE-së për të adresuar migrimin e parregullt të të miturve të pashoqëruar, lehtësimin e migracionit të rregullt, bashkëpunimin operacional për të adresuar migracionin e parregullt dhe shkëmbimin e informacionit, falsifikimin e dokumenteve dhe fushatat informuese mbi të drejtat dhe detyrimet e udhëtimit pa viza.
Katër oficerë kontakti policorë shqiptarë janë vendosur në Francë për të mbështetur autoritetet franceze të zbatimit të ligjit në rastet kur janë përfshirë shtetas shqiptarë. Shqipëria ka zbatuar gjithashtu kontrolle më të forta në pikat e kalimit kufitar. Autoritetet shqiptare kanë marrë kundërmasa dhe shtuan kontrollet kufitare, duke pasur parasysh që rrjedhat migratore përgjatë të ashtuquajturës rrugë bregdetare (duke përfshirë edhe Shqipërinë) u rritën më 2018. Në gjysmën e parë të vitit 2018, kishin hyrë në Shqipëri rreth 2,950 migrues të parregullt (veçanërisht nga Greqia), pothuajse tri herë më shumë se shifra e përgjithshme për të gjithë vitin 2017. Fluksi mbetet i një natyre tranzit, me shumicën dërmuese të emigrantëve të parregullt dhe azilkërkuesve që largohen nga vendi pas disa ditësh. Edhe pse kapaciteti i Shqipërisë për të strehuar emigrantë të parregullt është i kënaqshëm deri tani, Shqipëria ka nevojë për monitorim të rreptë. Rritja e kapacitetit të pritjes në Shqipëri gjatë 2017 (nëpërmjet zgjerimit të Qendrës Kombëtare për azilkërkuesit në Babrru dhe qendrës së re të IOM-it në Gjirokastër) ka përmirësuar kapacitetin për të përballuar numrin në rritje. Qendra e azilit në Babrru, që strehon 200 azilkërkues, është aktualisht e mbushur plot, por ka edhe qendra të tjera që kanë kapacitet për të strehuar emigrantë shtesë (në Kakavijë dhe Gjirokastër). Kapaciteti aktual pritës në vend, duke përfshirë Qendrën Kombëtare për Azilkërkuesit si dhe objektet e strehimit të përkohshëm në Gjirokastër dhe Shkodër, është 380 vende. Shqipëria ende vuan nga një deficit i strukturave dhe kapaciteteve të mjaftueshme për kontrollin, sigurinë dhe kontrollin e kufirit, identifikimin dhe trajtimin e refugjatëve. Kapaciteti i Qendrës Kombëtare për Azilkërkuesit është shtuar me një mjek dhe një infermiere, punonjës socialë dhe përkthyes, si dhe një turn të natës. Programi i Migracionit Rajonal mund të sigurojë shtimin e kapaciteteve në këtë kuptim (megjithatë pa mbështetje logjistike apo pajisje). Programi IPA 2018 “Mbështetja e BE-së për të luftuar krimin e organizuar dhe drogat” do të ofrojë mbështetje për një menaxhim efektiv të kufijve të gjelbër, kufijve blu dhe kufijve ajrorë.
Kjo do të ndihmojë në sigurimin e menaxhimit efektiv të vendeve kufitare përmes ofrimit të pajisjeve dhe mbështetjes operacionale për kontrollin dhe mbikëqyrjen efektive të kufirit dhe për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme në zonën kufitare dhe detare. Përgatitja e strategjisë ndërsektoriale për migracionin është në vijim e sipër. Dokumenti do të miratohet në Vjeshtën e vitit 2018.
Rregullorja
Ja si dhe pse rivendosen vizat për një vend jashtë BE
Përjashtimi nga kërkesa për vizë për shtetasit e një vendi të tretë të renditur në Shtojcën II pezullohet përkohësisht në bazë të të dhënave të rëndësishme dhe objektive.
Shteti Anëtar mund të njoftojë Komisionin nëse përballet, gjatë një periudhe dymujore, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë ose me dy muajt e fundit para zbatimit të përjashtimit nga kërkesa për vizë për shtetasit e një vendi të listuar në Shtojcën II, me një apo më shumë nga rrethanat e mëposhtme:
a) një rritje e konsiderueshme e numrit të shtetasve të atij vendi të tretë të cilëve iu është refuzuar hyrja ose zbulohet se qëndrojnë në territorin e Shtetit Anëtar pa të drejtë;
b) një rritje thelbësore në numrin e kërkesave për azil nga shtetasit e atij vendi të tretë për të cilët norma e pranimit është e ulët;
c) ulje e bashkëpunimit në ripranimin e të kthyerve nga ai vend i tretë, mbështetur në të dhëna të përshtatshme, në veçanti një rritje të konsiderueshme të shkallës së refuzimit të kërkesave të ripranimit të paraqitura nga Shteti Anëtar atij vendi të tretë për shtetasit e vet, ose, kur e parashikon një marrëveshje ripranimi lidhur ndërmjet Bashkimit ose atij Shteti Anëtar dhe atij vendi të tretë, për shtetasit e vendeve të treta që kanë kaluar nëpër atë vend të tretë;
d) një rrezik në rritje ose kërcënim i menjëhershëm për politikën publike ose sigurinë e brendshme të Shteteve Anëtare, në veçanti për një rritje të konsiderueshme të veprave të rënda penale që lidhen me shtetasit e atij vendi të tretë, të mbështetur në informacione objektive, konkrete dhe të rëndësishme të dhëna nga autoritetet kompetente.
Sa më sipër, duhet të tregohen arsyet në të cilat bazohet ky informacion dhe duhet të përfshihen të dhëna dhe statistika të rëndësishme si dhe një shpjegim i detajuar i masave paraprake që Shteti Anëtar ka marrë me qëllim që të përmirësojë situatën. Shteti Anëtar në fjalë mundet në njoftimin e tij të specifikojë se cilat kategori të shtetasve të vendit të tretë në fjalë duhet të mbulohen nga një akt zbatues sipas pikës (a) të paragrafit 4, duke treguar arsyet e hollësishme për këtë. Komisioni informon menjëherë Parlamentin Europian dhe Këshillin për një njoftim të tillë. (Shqiptarja.com)