Në primaret e të majtës franceze që sot zhvillohet raundi i parë do të garojnë shtatë kandidatë, gjashtë burra dhe një grua.
Manuel Valls
Ish-kryeministër, 54 vjeç, që anon në krahun e djathtë të PS-së, tenton hapin madh. Ambicioz me temperament optimist, që ëndërron të modernizojë të majtën franceze duke thyer tabutë, por që stili i tij autoritar dhe fjalimet pro sipërmarrjeve irritojnë një pjesë të kampit të tij.
Arnaud Montebourg
Ish-ministër i Ekonomisë, që në gusht të vitit 2014 kritikoi kthesën liberale të presidentit Hollande. Arnaud Montebourg është një elektron i lirë i krahut të majtë të PS-së, një mbrojtës i flaktë i “made in France”.
Benoit Hamon
Ministër jetëshkurtër e Arsimit (prill-gusht 2014), 49 vjeç, i larguar nga qeveria në të njëjtën kohë me Arnaud Montebourg, pozicionohet më majtas nga ish-aleati i tij, me të cilin ndan idenë e një shteti ndërhyrës në ekonomi.
Kundërshtar i pabarazive, ai propozon një të ardhur universale prej 750 eurosh në muaj në përgjigje ndaj rënien e punësimit, një projekt shumë i kritikuar nga kampi i tij.
Vincent Peillon
Ish-ministër i Arsimit (2012-2014), ky doktor në filozofi 56 vjeç u shfaq në primare pasi ishte zhdukur nga debati politik prej dy vitesh për t’iu dedikuar mësimdhënies dhe shkrimit të romaneve.
Shumë kritik ndaj Manuel Valls, ai paraqitet si i vetmi në gjendje të bashkojë të majtën dhe më tej.
François de Rugy
Deputet 43-vjeçar, president i Partisë Ekologjiste, kërkon të mishërojë një rrugë te tretë socialo-ekologjiste për t’u shkëputur nga dueli mes Manuel Valls dhe krahut të majtë të PS-së.
Jean Luc Bennahmias
Pa shumë iluzione mbi mundësitë e tij në primare, ish-eurodeputeti i qendrës së majtë, 62 vjeç, kërkon të rindërtojë një maxhorancë progresiste që shkon nga ekstremi i majtë deri tek e djathta e moderuar.
Sylvia Pinel
Kandidatja e vetme grua në këtë primare, ish-ministre (Artizanati dhe Strehimi) 39 vjeç është në krye të partisë më të vjetër në Francë, Partia Radiake e të Majtës, që ka qenë një aleat besnik gjatë mandatit të François Hollande.
Programi i saj bazohet mbi ndihmën ndaj sipërmarrjeve, me një ulje të ndjeshme të taksave. Ajo është për legalizimin e kanabisit dhe për të drejtën për eutanazi.