Si një përpjekje për të çarë izolimin ndërkombëtar rreth çadrës, grupet lobiste amerikane të afërta me Partinë Demokratike po prodhojnë dokumente politike me një lloj rezonance publike. Pyetja themelore është: A kanë ato aftësinë me ndërruar pushtet; me ndalur proceset politike në Shqipëri, apo përshembull me ndërruar ambasadorin?
Po le të kuptojmë parë se çfarë lloji letre ishte. Letra që 6 senatorë republikanë i drejtonin sekretarit amerikan të shtetit Rex Tillerson në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, është saktësisht një dokument i prodhuar nga lobimi. Në letër duke cituar politikanë të nderuar në Shqipëri, reforma në drejtësi konsiderohej si dokument politik kontrovers; e financuar nga USAID dhe Soros, etj, dhe ku ambasadori konsiderohej se ndërhynte në politikën e brendshme shqiptare, ishte saktësisht një dokument lobues. Letra u bë publike madje dhe nga një televizion amerikan i rëndësishëm, por dhe këtu nuk ka asgjë të re për stilin sesi punojnë kompanitë e lobimit.
Ç’dmth lobim ?
Grupe, zyra të caktuara, drejtuar nga ish kongresmenë, ambasadorë, funksionarë të administratës amerikane etj, marrin përsipër përkundrejt pagesave të diferencuara objektiva të ndryshëm për llogari të partive, kompanive, apo individëve nga shtete të tjera, apo brenda SHBA-ve që kanë nevojë për mbështetje. Do një artikull pro teje në një gazetë të caktuar? Do një shfaqje në televizion? Do një takim të vërtetë e të shkurtër, një foto me një kongresmen, një sekretar apo dhe me presidentin? Çdo gjë është e arritshme, por çdo gjë ka një çmim. Madje dhe nëse i kërkon të gjitha menjëherë si pjesë e një fushate të caktuar.. Përshembull, zoti Basha arriti të takonte apo të shkëmbente mendime me senatorin republikan Ted Kruz, dhe prej këtij takimi u dol me një foto. Pas takimit po shohim letrën në fjalë. Në portale të caktuara në gjuhën angleze, apo në gazeta të caktuara që hyjnë në marrëveshje me kompani lobuese po botohen dhe shkrime kritike për qeverisjen e Ramës. Nëse ky lobim nëpërmjet këtyre mjeteve synon të ndryshojë politikën amerikane, edhe pse në një vend të vogël atëherë çmimi është vërtet i madh.
Por a mund të ndryshohet politika amerikane nëpërmjet letrave publike? Vështirë se po, sadoqë emrat e përfshirë në letër ishin emra të fortë tingëllues si përshembull kandidati presidencial Ted Kruz.
Letra në fjalë mund të davarisë acarimin e njerëzve që vijnë tek çadra përkohësisht, por në pikëpamje të ndryshimit të politikës zyrtare amerikane kundrejt Shqipërisë kjo duket e vështirë. Kjo letër për disa arsye nuk mundet të ndërrojë ambasadorin si besohet, shpresohet dhe lutet Zoti, (jo vetëm Amerika).
7 arsyet
Së pari, se një ndërmarrje e tillë mbetet e vështirë dhe shkon kundër traditës së stabilizuar amerikane për ndërrimin e ambasadorëve, ruajtjen e dinjitetit të Amerikës nëpërmjet respektimit të tyre dhe mbrojtjes nga sulmet dhe polemikat e brendshme, etj, etj.
Së dyti, një përpjekje e ngjashme për të goditur ambasadorin amerikan në Maqedoni, ndërhyrës i fortë në zhvillimet politike në Maqedoni, doli pa sukses. Pak a shumë me të njëjtat terma, kundër Sorosit, etj. Nuk mjafton të sulmosh Sorosin për të patur sukses në veprat lobuese. Mbështetja që Departamenti i Shtetit i dha ambasadorit në Maqedoni është tregues se përpjekje të ngjashme do të dështojnë.
Së treti në letër, tezat e opozitës nuk akreditohen plotësisht, por citohen, (prej politikanëve të nderuar) diçka që e relativizon përmbajtjen e pohimeve kritike ndaj qeverisë.
Së katërti, vepra të tilla përmirësojnë imazhin e dikujt në SHBA (nga opozita në rastin konkret), por nuk funksiojnë për të shkatërruar një lidhje të vjetër, një traditë bashkëpunimi, një marrëdhënie strategjike me një vend apo një lider të caktuar.
Së pesti, vepra e opozitës, me çadër, pa çadër ka karakter destabilizues-futje në krizë e gjithë sistemit politik dhe kjo nuk ngjan se përputhet me qëllimin amerikan për rajonin. Besohet as dhe për Shqipërinë si vend i vetëm.
Së gjashti, letra në fjalë tregon se klientët e senatorëve, dmth Partia Demokratike kanë probleme me politikën amerikane zyrtare të deritanishme. Tek shqiptarët e paditur mund të krijohet iluzioni se politika zyrtare ndaj Shqipërisë do të ndryshojë madje dhe ambasadori, por kush i njeh punët dhe mënyrën si funksionon SHBA, e di se ky objektiv ngjan i vështirë. Bartësi, ideuesi, apo dhe ekzekutuesi i politikës zyrtare amerikane është ambasadori. Kur ky ambasador është ambasador karriere, është shumë vështirë ta largosh. Vetë ambasadori e di më mirë nëse kjo politikë do të ndryshojë ose jo, po dobësohet ose jo për shkak të veprës lobuese kundër tij. E vërteta është se ambasadori amerikan Lu po vazhdon të sillet si më parë: të bëjë veprime të forta si bëri me prokurorin e përgjithshëm, të lavdërojë ministrat e rinj, të akuzojë, të mbrojë reformën në drejtësi, etj, etj.
Së shtati, reforma në drejtësi ngjan si njëlloj objektivi i të gjithë politikës amerikane, asaj të vjetrës dhe asaj të resë. Nëpërmjet saj synohet të pastrohet drejtësia, pastaj politika, dhe pastaj gjithë shoqëria. Një shoqëri, politikë, drejtësi e pastër është modernizuese dhe mund të përdoret për shembull në vendet e tjera ballkanike. Kurse letra godet pikërisht vetingun, pavarësisht se PD gjoja e ka votuar atë.
Për gjithë këto arsye, opozita ka të drejtë të jetë e kënaqur pse e ka çarë rrethimin ndërkombëtar, apo se mbështetësit e vet po besojnë më shumë narrativën që po krijohet një front ndërkombëtar kundër Ramës, por vetëm kaq. Prej kësaj letre vështirë se do të vihet dikush në lëvizje. Politikën zyrtare e bën kancelaria, dhe ajo amerikane s’po jep shembuj ndryshimi të madh kundrejt Shqipërisë. Për analogji: sot në një artikull tjetër kemi botuar fakte rreth një rezolute të Senatit Amerikan të vitit 1946 ku kërkohej që politika zyrtare amerikane të mbështeste kalimin e Shqipërisë së jugut brenda kufijve grekë. A pati ndonjë rezultat? Jo, sepse Presidenti Truman e hodhi në kosh rezolutën zyrtare të njerit prej Komisioneve të Senatit. Madje po ta shtrijmë analogjinë, mendimi, idetë e politikës zyrtare të dikurshme, asaj tradicionales, përfaqësuar nga ish ambasadori amerikan Charles Hart “dhe të bëra krejtësisht pa pagesë”, patën efekt më shumë sesa rezoluta e një Komisioni me senatorët e kohës. Kjo gjë nuk ka ndryshuar as sot. Ndaj letra e senatorëve ka thjesht vlera propagandistike. (Konica.al)