Nga Bledar Çela
Ndërsa debati për zgjedhjet e parakohshme lokale nxehet, pyetja më e madhe që ende s’ka marrë përgjigje është: kush do të jetë kandidati i Berishës për Bashkinë e Tiranës?
Në intervistën e tij e të djeshme, Berisha la të nënkuptohet se do të preferonte një figurë nga partitë e reja. Dhe meqë Shehaj e ka refuzuar publikisht këtë garë, emri që mbetet më i mundshmi për Berishën është Adriatik Lapaj.
Nëse bën një hap pas nga zhurma e teatrit politik dhe lidh fijet me qetësi, e kupton edhe bufi që Lapaj është asi nën mëngë i Berishës. Dhe këtu nuk po flas as për lidhjet që të dy kanë me lobin grek në jug, e as për faktin që partia e Lapajt e ka të shkruar në statut që është parti e djathtë konservatore. Po flas për diçka shumë më thelbësore: për trashëgiminë politike të Berishës, të cilën Lapaj e mishëron me fanatizëm. Askush më mirë se Lapaj nuk e mishëron mentalitetin e vjetër politik që e ka mbajtur Shqipërinë në vendnumëro për tre dekada.
Së pari, ashtu si Berisha me nenin ‘Basha’, edhe Lapaj i gënjen votuesit: para zgjedhjeve premton fitore dhe jep garanci që do të jap dorëheqje po humbi; pas zgjedhjeve kërkon hapjen e kutive dhe pastaj fshihet pas partisë që të mos japë dorëheqjen.
Së dyti, ashtu si mentori i tij, Lapaj i lë rrugëve kauzat për të cilat përbetohet me mish e me shpirt. Ashtu si Berisha harroi përbetimet e foltores për demokraci, edhe Lapaj harroi pathosin për listat e hapura dhe i kërkoi Kolegjit Zgjedhor që mandatin e vetëm të partisë së tij t’ia kalonte motrës, që e kishte futur në listën e mbyllur.
Së treti, Lapaj e drejton partinë sipas manualit të Berishës. E themeluar si një lëvizje qytetare me aktivistë të spikatur si Edlira Çepani, Florian Binaj, Osman Stafa, Etleva Merko, Azmer Duleviç e shumë të tjerë, Shqipëria Bëhet u shndërrua në një biznes familjar i dominuar nga babai, motra, tezet e dajat. Çdo zë kritik dhe intelektual është zëvendësuar me një ushtar servil, njësoj siç Berisha i parë zëvendësonte intelektualët që themeluan PD-në, dhe të cilët guxonin të mendonin ndryshe, me Nokat e Vokshat.
Së katërti, Lapaj mishëron mentalitetin që suksesi është meritë e liderit, ndërsa përgjegjësia është gjithmonë e të tjerëve. Edhe pse mori më pak vota se të rinjtë e tjerë si Qori dhe Shehaj, Lapaj e shpall veten përfaqësues të 65 mijë votave, duke “përvetësuar” rreth 60 mijë vota që votuesit ia kanë dhënë kandidatëve të tjerë të koalicikonit. E ndërkohë që e drejton partinë me dorë të hekurt dhe të gjitha vendimet i merr vetë, fajin për çdo gabim e kanë “tradhëtarët” brenda partisë. Ndërsa për aleatët e Nismës Thurje, që i mori vetë në koalicion, fajin ia kishte Edi Rama që ia paska futur si ‘Kal Troje’. Madje edhe listat e mbushura me familjarët e tij fajin ia ka konspiracioni botëror që është bërë bashkë për ta penguar uraganin e këtij Skënderbeu të kohërave moderne.
Së pesti, Lapaj ka përvetësuar fjalorin bolshevik të Berishës. Po ta dëgjosh Lapajn në radio të heq mallin e Berishës së viteve 90. E njëjta gjuhë bolshevike ku kundërshtarët politikë janë “armiq” dhe mendimi ndryshe është “tradhëti”. Ky mentalitet totalitar, që ndan shoqërinë në “ne” dhe “ata” dhe e kthen politikën nga një përplasje idesh në luftë për jetë a vdekje, është trashëgimia më e errët e Berishës, dhe atë Lapaj e mban ndezur si pishtar në rrugën e politikës “së re”.
Së gjashti, Lapaj ka epërsi mbi Berishën 80 vjeçar, pasi duke qënë i ri thotë të njëjtat gjëra që kemi dëgjuar prej vitesh, por me zë më të lartë dhe me më shumë pasion. Kaq mjafton që trashëgimia e Berishës, e miksuar me energjinë rinore, të sigurojë pavdekësinë politike. Pse të merremi me debate dhe ide për trafikun, banesat apo shkollat, kur mund të prodhojmë një brez të ri politikanësh që shqyhen për karrige, njësoj si të vjetrit?
Së shtati, Lapaj e legjitimon dhe e përjetëson modlein e dhunës që ka sjellë Berisha në politikë. Kemi parë për 35 vite, se retorika e dhunshme e Berishës, nuk mbetet vetëm në fjalë, por çon tek dhuna fizike, pasi nxit urrejtjen për kundërshtarin politik dhe heq barrierat morale. Edhe këtu, Lapaj, megjithëse disa hapa mbrapa nga Berisha, ka dhënë prova se po ecën në shinat e politikës së dhunës. Të gjithë e pamë se si ia rrëmbeu me dhunë mikrofonin Arlind Qorit në protestën e tij, apo se si ndërseu huliganët e tij që të kërcënonin familjen e Endri Shabanit. Deri tani dallimi me Berishën për dhunën fizike është vetëm kronologjik, pasi Lapaj ende s’ka arritur t’i eliminojë fizikisht kundërshtarët e tij politik.
Kështuqë Berisha kot lodhet ta fsheh, që më mirë se Lapaj askush nuk e përfaqëson dot trashëgiminë e tij politike. Dhe gjenialiteti i Berishës në këtë zgjedhje, është se do të ofrojë iluzionin e ndryshimit pa rrezikuar që diçka të ndryshojë vërtetë, pasi në çdo aspekt Lapaj është lëkura e re e politikës së vjetër. Kështu, edhe nostalgjikët e politikës 35-vjeçare do gjejnë tek kandidatura e Lapajt garanci që politika e vjetër do të ketë një të ardhme të re.

