Gjykata e Apelit të Posaçem, ka vendosur këtë të martë, 30 qershor, të ndryshojë vendimin e mëparshëm të shkallës së parë për çështjen ndaj Mariglen Qatos.

Trupi gjykues monokratik, i kryesuar nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, pranoi ankimin e të pandehurit dhe zëvendësoi masën e sigurisë “arrest në burg” me masën “arrest në shtëpi”.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Iliriana Olldashi, sot më datë 30.06.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 184 akti, datë 22.06.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit M.Q: “Ankim ndaj vendimit nr. 355, datë 21.05.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësim mase sigurimi” dhe vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 355, datë 21.05.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në këtë mënyrë:
Pranimin e kërkesës së kërkuesit/të pandehurit M.Q.
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “arrest në burg” të cakuar ndaj tij me vendimin nr. 28, datë 28.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, duke e urdhëruar të pandehurin M.Q, që të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në ***.
Urdhërohet lirimi nga ambjentet e paraburgimit i të pandehurit M.Q, në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër.
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ekzekutimin e këtij vendimi.“, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Ish kreu i IKMT-së, Mariglen Qato, dyshohet për çështjen e dosjes ‘5D’ që ka hetuar SPAK dhe e ka dërguar për gjykim, ku është i pandehur së bashku me zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë.
Per Qaton, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 9 vite burg, me akuzat e korrupsionit pasiv në katër raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.











