Ministria e Arsimit ka reaguar menjëherë pas rastit të korrupsionit që ushtrohej në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku një pedagog kërkontë 500 euro nga studentët për notën 5.
Në një deklaratë për mediat MAS thekson se ka kontaktuar me Rektoratin e këtij Universiteti, që ky institucion të marrë masat e duhura administrative për këtë rast.
Nga ana tjetër Ministria e Arsimit ka nisur procedurat për kallëzim penal ndaj pedagogut pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon çdo akt korrupsioni dhe është e vendosur për të ndëshkuar çdo rast të tillë. MAS, vazhdon punën për zbatimin e reformave tërësore në të gjithë sistemin arsimor dhe fton të gjithë studentët, qytetarët, prindërit dhe punonjësit në institucionet arsimore që të mos hezitojnë të denoncojnë çdo rast abuzimi dhe korrupsioni në sistemin arsimor.
MAS përshëndet dhe falenderon studentin protagonist në këtë video për shfaqje të kurajës qytetare, si edhe gazetarët e emisionit investigativ të televizionit Top Channel për zbulimin e rastit në fjalë, puna e të cilëve është një ndihmë e paçmuar në nismat e ndërmarra nga qeveria në luftën ndaj korrupsionit. “, thuhet në deklaratë.